Kapshticë, 28 Maj, NOA – I kishin paguar një trafikanti klandestinësh 700 euro në dorë për të shkuar në Greqi, por policia greke i ka kapur në kufi, duke i kthyer menjëherë në territorin shqiptar.
E të gjendur në kushte dëshpëruese, të kthyerit gjëja e parë që kanë bërë sa kanë takuar forcat e policisë shqiptare, ka qenë ajo e rrëfimit të personit që u kishte marrë shumën e lartpërmendur, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
Fjala është për dy të rinj, të kthyer në pikën kufitare të Kapshticës, me emrat përkatës F. Harizi, 20-vjeç, banues në fshatin Çaushaj të Peqinit dhe J. Hyskja, 16-vjeç, banues në fshatin Shezë të Peqinit.
Siç bëjnë me dijeni burimet kufitare për agjencinë e Lajmeve NOA, ata kanë denoncuar 27-vjeçarin Kastriot Harizi, banues në fshatin Çaushaj të Peqinit se i ka ndihmuar për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin kundrejt shpërblimit prej 700 euro për person.
Tashmë ndaj tij, janë kryer veprimet hetimore proceduriale për veprën penale të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal, ndërsa është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
n.e/NOA