English

Preshevë, Serbia heq gjuhën shqipe nga librezat e shëndetësisë

Preshevë, 28 maj, NOA – Autoritetet e shtetit serb në Luginës së Preshevës kanë ndryshuar dokumentet duke i bërë ato vetëm një gjuheshe.

Nëse më parë librezat shëndetësore janë dhënë në dy gjuhë, ditëve të fundit ato janë duke u shpërndarë vetëm se në gjuhën serbe.

Në Entin për Punësim në Bujanoc thonë se, Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka ndërprerë shpërndarjen e tyre në gjuhën shqipe, pasi që sasia e parë tashmë është harxhuar.

Daniel Stojanoviç, shef i ekspoziturës në entin republikan për punësim dhe siguri shëndetësorë për rrethin e Pçinjës, thotë se, sa i përket librezave të shëndetësisë në komunën e Buajnocit dhe të Preshevës më parë janë dhënë në dy gjuhë, por numri i atyre që janë shtypur tashmë ka përfunduar.

“Në ent për momentin nuk kemi libreza në gjuhën shqipe sepse nuk na kanë dërguar nga Beogradi”, theksoi Stojanoviçi.

Vendimi i institucioneve serbe duket se bie ndesh dhe me qëndrimin që kanë mbajtur autoritet gjatë vizitës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta në Beograd.

Presidenti Tadiç dhe anëtarë të kabinetit qeveritarë kanë deklaruar se do tu kushtohet më shumë vëmendje qytetarëve të Luginës së Preshevës.

NOA/INA

KOMENTE