English

Prishtinë - Kmdlnj Boton Monografinë Për Krimet E Luftës Në Kosovë

PRISHTINË, 28 Maj /ATSH-B.Jashari/. - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka botuar monografinë për krimet e luftës në Kosovë (1998-1999). Një ekzemplar i monografisë së botuar me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës iu dorëzua sot Kryeministrit Hashim Thaçi, i cili priti një delegacion të KMDLNJ-së, të kryesuar nga kryetari Pajazit Nushi. Duke vlerësuar lart vepritmtarinë e KMDLNJ-së në kohët më të vështira për Kosovën e qytetarët e saj dhe tani në këto vite të shtetësisë, Kryeministri Thaçi theksoi se botimi i kësaj monografie është edhe një dëshmi për luftën, për sakrificën e popullit të Kosovës dhe për gjenocidin, që është ushtruar nga regjimi i Serbisë mbi qytetarët e Kosovës. Në këtë kontekst Kryeministri Thaçi inkurajoi udhëheqësit e KMDLNJ-së që të vazhdojnë përkushtimet e tyre për ndriçimin e plotë të së vërtetës për krimet e bëra në Kosovë gjatë periudhës së luftës, si dhe ofroi mbështetjen institucionale në këtë drejtim. Nga ana e tij, kryetari Nushi theksoi se angazhimet e KMDLNJ-së do të thellohen edhe më tej, gjithnjë në funksion të drejtësisë, të vërtetës dhe perspektivës evropiane të popullit të Kosovës. /s.s./
KOMENTE