English

Reportazh/Tek Bizneset Familjare Emigrantesh, Ku Nis Eurointegrimi Ekonomik

K TIRANE, 28 Maj/ ATSH, A.Gegvataj/ - "Flet puna dhe klientët", thotë Fatmir Demneri, djalë i një prej familjeve autoktone në Tiranë, që prej vitesh trashëgon zanatin e vjetër të të jatit në punimin e drurit. Bashkë me të, gjithë familja Demneri zanatin e mësuar nga babai e ka prefeksionuar sipas kërkesave të kohës dhe tregut. Fatmirit j'u desh të punonte gati 15 vjet në Itali për të mbledhur kapitalin e nevojshëm, me të cilin ngriti biznesin familjar, me një punishte ku ka punësuar 8 punonjës. Ja ka dalë të mbijetojë në tregun e konkurrencës. "Koha është investim", thotë Fatmiri, që pas rikthimit nga Italia në vitin 1997, hapi aktivitetin kur në Tiranë kishte vetëm 10 mobileri. "Rritja e kërkesave nga klientela më detyroi të modernizoj pajisjet për prodhimin e mobiljeve dhe përmes kredisë, kam arritur të mbaj në këmbë aktivitetin tim pas 14 vitesh", thotë ai. Ndërsa pranon se ka rënie te porosive nga prania e shumë prodhueseve, me bindje Fatmiri shprehet se është dora e zanatit ajo që përforcon më shumë aktivitetin. Por si Fatmir Demneri ka qindra të tjerë në Tiranë, që pasi punuan në emigracion, janë rikthyer në vendlindje duke hapur bizneset familjare, ku sedra profesionale mbetet stimuluese, nxitëse e inkurajuese. "Një biznes ecën me sukses kur ka të gjithë familjen e bashkuar me harmoni", thonë pronarët e pasticerisë "Pasta fresca" në një nga rrugët kryesore në kryeqytet, që ofron prodhime të ndryshme, karakteristikë e kuzhines tradicionale italiane. Elona, që sapo mbaron porositë për disa kliente është një prej pjestarëve të familjes, tregon se të 15 llojet e prodhimeve janë të freskëta, nuk u mbetet kohë të rrinë aty, edhe pse kanë vetëm dy muaj që kanë celur biznesin familjar. "Eksperienca që fituam në përgatitjen e pastave tipike të kuzhinës italiane na orientoi të hapnim këtë pasticeri me produkte të freskëta", tregon Elona, që ndihet e kenaqur sepse shumë familje të zonës, të kënaqur me shumëllojshmerinë, shprehen se e vecanta e prodhimeve u ka krijuar mundësine qe te shmangin restoranta në kryeqytet. Kjo është njëra anë e medaljes, sesi familjet shqiptare të rikthyera nga emigrimi, kanë zgjedhur për të mbijetuar por edhe për të punësuar edhe pjestar të familjeve të tjera. Më të vecantë këtë fakt e bën produkti dhe mënyrën që kanë zgjedhur për t'u ofruar shërbimin klientëve. Edhe në familjen Fero tregojë historikun e biznesit që mban emrin "Alfa E". Fillimisht e nisën në 1995 aktivitetin në një mjedis të vogël, që në ecje e sipër me prodhimin e punimeve të thjeshta dyer, dritare, vetrata, u rritën dhe tashmë bashkëpunojnë me mbështetjen e një partneri të huaj. Ervin Ferro tregon se materialin fillestar e sigurojnë nga Turqia. "Brënda 5 vitesh kemi mundur të dalim në treg me teknologjinë më të avancuar në profile dhe me pajisjet e perpunimit. Tashmë "Alfa E" e ka zgjeruar aktivitetin me shërbimet në të gjitha qytetet kryesore dhe rrjedhimisht, dhe numrin e punonjësve", thotë ai. Emëruesi i bizneseve familjare është pothuajse I njëjtë për ata që janë rikthyer nga emigracioni, ndërsa kapitalet financiare dhe huazimi I zanateve jashtë vendit, ka rritur ndjeshëm numrin e bizneseve të tilla në Tiranë. Një e tillë është dhe familja Kikino, që pas 13 vitesh emigrim, vendosi të investonte në vendlindje, në Tiranë duke hapur një pasticeri me prodhime tipike italiane. Ndërsa gruaja menaxhon lokalin, Arbeni, i shoqi rrëfen se si arritën te ngrejnë biznesin familjar. "Punova për 9 vjet si pasticier dhe në përgatitjen e koktejeve të ndryshme në një prej pasitcerive në zonën pranë ambasadës shqiptare në Romë (Itali) ndërsa bashkëshortja përfundoi edhe një kurs për anën decorative", tregon ai. Ndoshta është pikërisht receta italiane për përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme, thotë ai, që ka sjellë gradualisht rritjen e klientelës jo vetëm në frekuentimin e lokalit, por dhe porositë e shumta për gëzime familjare dhe dasma. Por Arben Kikino mendon se "ndonëse detyrimet shtetërore kanë pësuar rritje, kemi vendosur të mos rrisim çmimet e produkteve, edhe pse lënda bazë na vjen nga Italia. Në këtë aspekt duhet menduar për hapësira e lehtësira më të mëdha ndaj këtyre bizneseve". - Eurointegrimi ekonomik, tani është në Shqipëri- Bizneset e vogla, që njihen si "biznese familjare" dominojnë ekonominë dhe referuar INSTAT, ato me 1 deri ne 4 persona te punësuar, mbizoterojnë në 98.5 përqind, ndërsa shërbimet private të vogla përfaqësojnë 84.5 përqind të totalit të ndërmarjeve. Pozitiv mbetet fakti që emigracioni ka shërbyer si një faktor kryesor nxitës dhe emancipues me ndikim në shtrirjen dhe rritjen në numër të bizneseve të ndryshme familjare. Shumë emigrantë kanë përfituar dhe janë prefeksionuar në profesione të ndryshme jashtë vendit, duke i sjellë ne Shqipëri. Hapja e bizneseve familjare vecanërisht nga emigrantët e rikthyer, duket dhe në shumëllojshmërinë e bizneseve të ndryshme, klasifikimet e organeve shtetërore, që publikohen nëpër statistika vjetore. Duke punuar me korrektësi në emigracion për vite me rradhë, shumë syresh janë rikthyer për të hapur biznese, të nxitur nga klima e favorshme dhe hapësirat e duhura të krijuara nga shteti për ta./n.m/
KOMENTE