Ronchi: Shqipëria, Aleate E Rëndësishëm E Italisë Në Nato Dhe Vend Që Po Punon Fort Për Integrimin Në Be
- Shprehet ministri italian për Politikat Evropiane, Andea Ronchi, në një takim me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, në Romë -
TIRANË, 28 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - "Shqipëria është sot një aleate shumë e rëndësishme e Italisë, si anëtare e NATO-s dhe si një vend që po punon fort për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian", u shpreh ministri italian për Politikat Evropiane, Andea Ronchi, në një takim me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, në Romë.
Zyra e shtypit e Ministrisë së Integrimit bëri të ditur sot se ministrja Bregu zhvilloi një vizitë një ditore në Itali, ku u takua me ministrin Ronchi, si dhe zhvilloi një leksion të hapur me studentët e Universitetit "Sapienza" në Romë, me ftesë të rektoratit të tij.
Gjatë takimit me ministrin italian për Politikat Europiane, ministrja Bregu prezantoi arritjet e fundit të Shqipërisë në fushën e integrimit dhe ecurinë e projekteve të përbashkëta mes Italisë dhe Shqipërisë.
Duke vlerësuar këtë marrëdhënie partneriteti të shkëlqyer mes dy vendeve, Bregu kërkoi asistencën e mëtejshme të Qeverisë italiane në fusha si përafrimi i legjislacionit me acquis communitaire dhe trajnime për administratën publike.
Në deklaratën e tij pas takimit, ministri Ronchi vuri në dukje se "Italia dhe Shqipëria janë të lidhur nga fryma e miqësisë së mirë, frymë e cila u theksua edhe më tej gjatë këtij takimi". Ai u ndal tek integrimi i Shqipërisë në BE, duke theksuar se "Komisioni Evropian ka nënvizuar kohët e fundit progresin thelbësor të arritur nga Shqipëria në reformat politike, ekonomike dhe sociale".
"Jemi të informuar se Komisioni është duke vlerësuar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Synimi është që kjo të arrihet në kohën më të shkurtër të mundshme, nëse është e mundur edhe tani. Rilancimi i perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit, dhjetë vjet pas Samitit të Zagrebit, rikonfirmon angazhimin e Evropës në rajon", tha Ronchi, duke vlerësuar arritjet e Qeverisë shqiptare, si rezultat i të cilave Komisoni Evropian përpiloi raportin pozitiv për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave.
Ai u shpreh entuziast për hartimin e një protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë, ku do të përfshihen fusha konkrete bashkëpunimi që do t'i afrojnë akoma më shumë dy vendet tona.
Ndërkohë, ministrja Bregu prezantoi ecurinë e procesit të Shqipërisë drejt BE-së në leksionin e hapur të mbajtur në Universitetin "Sapienza", me temë "Integrimi i Shqipërisë në BE, një rrugëtim dhe një plan".
Ajo u ndal kryesisht në çështjet më të ndjeshme për shqiptarët që jetojnë dhe studiojnë jashtë Shqipërisë. Bregu nënvizoi reformat në ekonomi, arsim dhe rendin publik, të cilat e kanë trasformuar Shqipërinë në një vend më atraktiv për investitorët e huaj dhe vendas, më të sigurtë për qytetarët dhe me një perspektivë të qartë evropiane.
Në përgjigje të interesit të studentëve për mundësinë e rikthimit e të punësimit, pas studimeve, në Shqipëri, ministrja Bregu theksoi se "nismat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare për të thithur trurin, si programi Brain Gain e shpërblimi për diplomat e huaja kanë dhënë rezultatet konkrete vitet e fundit".
Ajo siguroi studentët se do të ketë akoma më shumë iniciativa të tilla, të cilat do të favorizojnë rikthimin e trurit në Shqipëri./s.s./