Rreth 8640 Familje Pjesë E Studimit Kombëtar Për Punën E Fëmijëve
TIRANE, 28 Maj/ATSH-Erla Gjikolli/.- 150 specialistë të INSTAT po intervistojnë në terren rreth 8640 familje në mbarë vendin, me qëllim realizimin brënda vjeshtës të studimit të parë kombëtar "Puna e fëmijëve në Shqipëri", që mbeshtetet nga Organizata Ndërkombëtare të Punës (ILO).
Agjencia e vetme multibilaterale trepalëshe në botë ILO, ku Shqipëria është një nga 182 vendet anëtare, "po financon 150 mijë dollarë për realizimin e këtij studimi serioz kombëtar, që pritet të sjellë një hartë mbi shtrirjen e fenomenit të punës së fëmijëve dhe specifikave të tij", tha për ATSH-në Menaxherja Kombetare e ILO-IPEC në Tiranë, Etleva Vertopi.
Ky studim, sipas saj, do t'i hapë rrugë nisjes së një programi kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve nga puna dhe që do të përfshijë të gjitha strukturat në nivel qendror dhe lokal.
"Presim që rezultatet e para të studimit të dalin nga vjeshta, si një bazë e mirë edhe për hartimin e politikave dhe programeve, por edhe të monitorimit të tyre", shtoi Vertopi.
Të dhënat e ILO tregojnë se në mbarë botën janë rreth 165 milionë fëmijë të moshës 5- 14 vjeç që punojnë. Ndër ta ,74 milionë fëmjë, pjesa me e madhe vajza, janë të ekspozuar në punët e rrezikshme, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO).
Këta fëmijë, pjesë e familjeve të varfëra, punojnë me orë të tëra dhe në mjaft raste në kushte të rrezikshme.
Kjo dukuri vlerësohet shqetësuese edhe në Shqipëri. Edhe pse ende nuk ka të dhëna të plota kombëtare për punën e fëmijëve, ky fenomen bën që shumë fëmijë për të siguruar të ardhura, privohen nga mundësia për arsimim.
"Shqipëria është prekur vonë nga ky fenomen, por megjithese një fenomen i ri, për fat të keq, është përhapur si gjeografikisht, ashtu edhe në fusha të ndryshme të ekonomisë", tha Vertopi.
Qeveria shqiptare, tha ajo, duke e konsideruar si një fenomen që mund të vihet nën kontroll, ka filluar të reagojë dhe tregues për këtë është edhe ngritja e Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Puna pranë Ministrise se Punes. Kjo është vlerësuar si një arritje në krahasim me vendet e tjera dhe është konsideruar si masë pozitive e marrë nga Qeveria, qoftë nga raportet e OKB, ashtu edhe ato të BE.
"Kryeministri Sali Berisha e ka ngritur këtë problem shpesh herë në vëmëndje të ministrive kryesore, qe tregon se ka një angazhim serioz nga qeveria", cilësoi Vërtopi, duke e vlerësuar kuadrin ligjor për këtë fenomen të kompletuar.
Shqipëria ka ratifikuar konventat kryesore të ILO dhe të gjitha konventat e organizatave ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e fëmjëve dhe shfrytëzimin e tyre. Në mbështetje të tyre ka edhe akte ligjore dhe nënligjore të hartuara gjatë gjithë këtyre viteve. /a.ke/