English

Shba - Shtresa E Naftës: Bp Mbush Me Baltë Pusin E Naftës

UASHINGTON, 28 maj /ATSH-AFP/ - Kompania britanike BP po e mbush me baltë pusin e naftës për të ndaluar rrjedhjen që ka krijuar shtresën e naftës në Gjirin e Meksikës, njoftoi sot kompania britanike BP, sipas të cilës suksesi ose jo i përpjekjeve për bllokimin e tij nuk do të bëhet i ditur përpara 48 orëve. Futja me presion të lartë e këtyre lëndëve inerte plotëson një operacion delikat të filluar të mërkurën nga BP-ja që ka të bëjë me dërgimin në pus të një solucioni të përbërë nga uji dhe lëndë inerte, përpara se ai të mbyllet plotësisht, njoftoi për televizionin amerikan ABC drejtori i përgjithshëm i BP-së Tony Hayward. "E bëjmë këtë (futjen e baltës) që dje pasdite. Kjo fazë e operacioneve mori fund sot në mëngjes dhe do ta rifillojmë atë më vonë gjatë ditës", shtoi Hayward. "Operacionet vazhdojnë, pra kjo po zhvillohet mjaft mirë", theksoi ai. "Duket qartë se, kur futet baltë, në det nuk përhapet as naftë dhe as gaz", theksoi Hayward në televizionin CNN. Nafta është përhapur me një ritëm rreth tre milionë litra në ditë që prej mbytjes më 22 prill të platformës "Deepwater Horizon" që shfrytëzone BP-ja në afërsi të brigjeve amerikane, mësohet nga një vlerësim i dhënë nga grupi i ekspertëve të mandatuar nga administrata amerikane. Hayward njoftoi gjithashtu se duhet të presim "të paktën 48 orë" për të dhënë një vlerësim lidhur me suksesin ose jo të operacioneve të ndryshme të bllokimit të pusit. Ndërsa komandanti i rojave bregdetare, admirali Thad Allen, i cili koordinon operacionet në vend, u shpreh në një intervistë për ABC-në se situata "do të jetë kritke gjatë 12 deri 18 orëve të ardhshme". BP arriti të shtyjë drejt fundit hidrokarburet me anë të baltës. Sfida e vërtetë qëndron në hedhjen e sasisë së mjaftueshme të baltës në pus për të mbajtur presionin deri sa të vëmë një 'tapë çimentoje në majë', theksoi admirali i rojave bregdetare. "Jemi me të vërtetë të kënaqur me faktin që BP-ja arriti të dërgonte baltë në pus. Tani, çështja është nëse do të arrijmë ta mbajmë baltën në fund. Kjo është sfida më e madhe e 12 deri 18 orëve të ardhshme", theksoi ai. /I.Pu.
KOMENTE