English

Shqipëria Dhe Danimarka, Vullnet Për Intensifikimin E Marrëdhënieve Në Fushat Me Interes Të Ndërsjelltë

- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit sot në Kopenhagen nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, znj. Lene Espersen- TIRANE, 28 Maj/ATSH/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, dhe homologia e tij daneze, znj. Lene Espersen, shprehën sot në Kopenhagen vullnetin e përbashkët për intensifikimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë. Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, duke vënë në dukje stadin e ri të zhvillimit në Shqipëri, theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet t'i përgjigjen kërkesave të reja të bashkëpunimit dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë shqiptare për të mirëpritur investimet daneze në vend, duke nënvizuar potencialet dhe avantazhet që Shqipëria ofron për investitorët e huaj. Nga ana e saj, znj. Espersen, zv/kryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme e Danimarkës, shprehu interesin për të inkurajuar kompanitë daneze që të investojnë në Shqipëri, veçanërisht në fushat e energjisë, agro-përpunimit dhe turizmit. Në këtë kuadër, u vu theksi tek rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe u diskutua mbi mbledhjen së shpejti të Forumit Ekonomik Shqipëri-Danimarkë, me qëllim zgjerimin dhe thellimin e shkëmbimeve tregtare. Gjithashtu, z. Meta dhe znj. Espersen biseduan edhe mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, znj. Espersen e uroi z. Meta për Propozimin e Komisionit Evropian lidhur me udhëtimin pa viza për qytetarët e Shqipërisë, duke vlerësuar këtu punën e autoriteteve shqiptare në përmbushjen e kërkesave të Udhërrëfyesit. Gjithashtu, znj. Espersen shprehu mbështetjen e Danimarkës për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së reformave si dhe të përmirësimit të klimës politike në vend, me qëllim afrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me BE. Z. Meta e informoi znj. Espersen mbi masat dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e siguroi atë për vendosmërinë e Qeverisë për të realizuar zbatimin sa më efikas të tyre në funksion të aspiratave integruese të vendit. Në lidhje me situatën politike në Shqipëri, z. Meta shprehu vullnetin e plotë të Qeverisë për të akomoduar kërkesat e ligjshme të opozitës përmes dialogut konstruktiv, si dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të qëndrueshme, brenda kornizës kushtetuese dhe duke respektuar parimin e transparencës. Në kontekstin e zhvillimeve rajonale, znj. Espersen shprehu vlerësimin e Danimarkës për rolin konstruktiv që Shqipëria luan në rajon, veçanërisht ndaj Kosovës, duke vlerësuar kontributin e madh që politika e fqinjësisë së mirë luan në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatë vizitës së tij në Danimarkë, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u takua edhe me Kryetaren e Komisionit Parlamentar të Çështjeve të Jashtme, znj. Eva Kjer Hansen. /s.s./
KOMENTE