English

Spanjë - Lleida Qyteti I Parë Që Ndalon Mbulesën E Plotë Islame Në Ambientet Komunale

MADRID, 28 maj /ATSH-ANSA/ - Qyteti katalan i Lleidas është bërë e para komunë e Spanjës që ndalon mbajtjen e mbulesave islame që mbulojnë plotësisht fytyrën e grave, si burka ose niqabi, në ndërtesat komunale, njoftoi e përditshmja La Vanguardia në botimin e saj elektronik. Siç ishte parashikuar, seanca plenare e Bashkisë së qytetit aprovoi mëngjesin e sotëm me 23 vota në favor, një kundër dhe dy abstenime, ndryshimin e rregullores bashkiake për të ndaluar mbajtjen e mbulesave të plota në të gjitha ndërtesat administrative të Bashkisë. Ky ndryshim në rregullore u mbështet nga katalanasit e qendrës së CiU-t, të cilët edhe e propozuan, nga socialistët e kryebashkiakut Angel Ros dhe nga Partia Popullore. Këshilltari i të gjelbërve të partisë Icv votoi kundër, ndërsa republikanët e partisë Erc abstenuan. Veç faktit se është masa e parë e këtij lloji në Spanjë, vendimi është kundërshtuar edhe nga "Generalitat de Catalunya", qeverisja rajonale e drejtuar nga socialistët, që beson se "një masë e tillë është jo e barabartë". Pasi u përball me një raport juridik negativ, propozimi arriti vetëm ta ndalojë përdorimin e mbulesës së plotë islame vetëm në ndërtesat komunale dhe jo në të gjitha ndërtesat publike të komunës, siç ishte parashikuar në fillim. /e.v/
KOMENTE