English

Sport-Futboll/ Starova Mbledh Tiranën Para Ligës Evropiane

TIRANË, 28 Maj /ATSH- Gjergji Mima/. - Pas pushimit dyjavor, skuadra e Tiranës i është rikthyer sot stërvitjeve për t'u përgatitur sa më mirë në prag të eliminatoreve për Ligën Evropiane. Trajneri i 24 herë kampionëve të Shqipërisë, Sulejman Starova, kërkon që skuadra e tij të jetë në formën më të mirë të mundshme në ndeshjet për Ligën Evropiane, ndërsa kundërshtarin do ta njohin vetëm në 21 qershor kur do të hidhet shorti. Tirana, ekipi me koefiçentin më të lartë për ekipet shqiptare, duke pasur parasysh pikët e grumbulluara në pesë vitet e fundit, do të jetë në vazon kryesore të turit të parë të Ligës Evropiane. Kështu, Tirana do të evitojë një sërë kundërshtarësh të fortë dhe do të ketë kundërshtarë të nivelit modest. Por nëse nuk e kalon turin e parë, për Tiranën do të thotë një dështim total. Trajneri i kryeqytetasve, Sulejman Starova, pohoi sot për ATSH-në se, "duke qenë se marrim pjesë në Kupat e Europës kemi menduar që t'i nisim përgatitjet sa më shpejt, në mënyrë që të kemi kohën e duhur për t'u stërvitur, për të qenë gati në dy ndeshjet europiane, por edhe për sezonin e ardhshëm futbollistik". Por ndërkohë Starova duket se do të jetë edhe përzgjedhësi kryesor i merkatos së Tiranës. Sipas burimeve nga klubi bardheblu mësohet se Starova ka kontaktuar gjatë ditës së sotme me lojtarët Erbim Fagu dhe Endrit Vrapi, të skuadrës së Besës dhe i ka bërë atyre një ftesë për t'u bashkuar me skuadrën e Tiranës, por lojtarët e Besës nuk mund të marrin një vendim deri pas përfundimit të takimeve për Kupat e Evropës. "Nevoja është e madhe që të hyjmë në merkato, aq më tepër që objektivat tona dihen për këtë sezon, që do të jenë fitimi i titullit kampion dhe i Kupës së Shqipërisë', u shpreh Starova. Ndërkohë, të hënën pritet edhe mbledhja e kryesisë së klubit bardheblu, për të vendosur se cili do të jetë president i Tiranës sezonin e ardhshëm, pasi presidentit aktual Refik Halili i skadon kontrata me klubin në 31 maj. /s.s./
KOMENTE