Sport-Koment/ Superligës Nuk I Ndahet Dhuna Edhe Në Fund Te Sezonit
TIRANË, 28 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Kampionati shqiptar i futbollit ka mbyllur një sezon me probleme nga më të shumtat.
Duke lënë mënjanë problemin e terreneve, duke harruar një moment akuzat e shumta për trukime ndeshjesh nga klubet shqiptare dhe futbollistët, si dhe gjykimet me probleme të arbitrave, nuk mund të mbyllen sytë para dhunës së ripërsëritur javë pas jave në stadiumet tona.
Skena grindjesh mes lojtarëve, dikur shokë skuadre, goditje arbitrash nga drejtuesit e klubeve, të cilët në fakt duhet të jenë shembull për t'u ndjekur nga lojtarët, mosrespektim ndaj kundërshtarit, mosbindje ndaj rregullave të lojës "fair play", që aq shumë përmenden nga drejtuesit më të lartë të futbollit shqiptar, kjo është panorama që i shfaqet tifozëve dhe sportdashësve shqiptarë sa herë që shohin një ndeshje futbolli.
Ata që shkaktojnë këtë dhunë jusitifikohen me faktin se ishin arbitrat me vendimet, apo kundërshtarët me sjelljet e tyre, ata që ndezën gjakrat dhe shkaktuan dhunë. Por edhe nëse kjo është e vërtetë, edhe në rast se arbitrat gabojnë gjatë një ndeshjeje (me ose pa dashje), asgjë nuk e justifikon dhunën në një ndeshje futbolli.
Ky fenomen, sa i shëmtuar aq dhe i përhapur në futbollin shqiptar, ripërsëritet çdo sezon, pavarësisht se para çdo kampionati bëhet thirrje për të luajtur futboll dhe jo boks në fushat e blerta, ç'ka nuk dëgjohet nga drejtuesit dhe lojtarët e skuadrave.
Paralajmërimet apo ndëshkimet e Federatës Shqiptare të Futbollit duket se nuk bëjnë dobi për klubet shqiptare, për të cilat rëndësi ka vetëm tre pikëshi, pavarësisht se në ç'mënyra apo me çfarë kushtesh arrihet.
Dhuna nuk ka harruar të shfaqet edhe në dy ndeshjet përmbyllëse të këtij sezoni, në ndeshjet e "play-outit", të cilat sigurisht mbajnë tension brenda, pasi aty luhet gjithë sezoni për ekipet, por ky tension duhet të mbesë thjesht në aspektin sportiv.
Skëndërbeu - Kamza dhe Kastrioti - Lushnja janë vetëm dy ndeshjet e fundit, të një serie të gjatë takimesh, tek të cilat gjatë gjithë këtij sezoni futbollistik janë vënë re skena dhune.
Por, dhunës në këtë fundsezoni nuk i ka shpëtuar as një ndeshje miqësore ndërkombëtare mes ekipeve "Shpresa" të Shqipërisë dhe Polonisë.
Federata Shqiptare e Futbollit pas incidenteve ka premtuar dhe në disa raste, ka aplikuar, masa të ashpra ndaj dhunës, por mesa duket këto masa nuk kanë qenë të ashpra sa duhet.
Në ndeshjen Lushnja - Kastrioti, lojtarët e Kastriotit ishin duke festuar me tifozët e tyre në fund të takimit, ndërsa 4 futbollistë të Lushnjës kanë goditur Turdiun e Kastriotit. Në sherr është futur edhe kapiteni i krutanëve, Shameti, ndërsa tifozët në stadium kanë parë një boks të vërtetë. Ndërhyrja e forcave të policisë çoi në ndarjen e lojtarëve të të dy skuadrave, ndërsa tensioni është zhvendosur edhe në dhomat e zhveshjes. /a.ke/