Teatri Kombëtar, Tempulli I Kulturës Shqiptare
-Shprehen për ATSH-në aktore të mirënjohura të skenës shqiptare, si Margarita Xhepa, Drita Haxhiraj, Edi Luarasi, në 65 vjetorin e krijimit të TK-
TIRANË, 28 Maj/ ATSH- Suada Daci/. - Kryevepra të dramaturgjisë botërore, por edhe krijime shqiptare, janë vendosur në skenën e Teatrit Kombëtar për 65 vite me radhë, duke i dhuruar spektatorit 3100 role.
Më 17 maj të vitit 1945, 19 djem dhe vajza do të nisnin të shkruanin historinë e Teatrit shqiptar, dhe do të ishte pikërisht komedia "Topazi", me regjisor Sokrat Mion shfaqja e parë për publikun shqiptar.
Në këtë 65 vjetor të tempullit të kulturës shqiptare, aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa, në një intervistë për ATSH-në, kujton jo vetëm punën, por edhe rolet që i ka dashur përgjatë gjithë karrierës së saj artistike në skenë.
"Në këtë 65 vjetor të teatrit tonë të dashur na zgjohen shumë kujtime dhe mbresa të paharruara", thotë Xhepa.
Ajo tregon se punën në Teatër e filloi kur ky institucion kishte filluar rrugën e tij dhe ajo kujton aktorët e mrekullueshëm që punonin me pasion, me përgjegjësi dhe me impenjimin më të madh.
Sipas Xhepës, një zë të fuqishëm në Teatrin Kombëtar ka qënë padyshim edhe ai femëror, që me personazhet e tyre të veçanta kanë mbetur në mendjet dhe në zemrat e spektatorëve.
Aktorja e 150 roleve në Teatër dhe 32 roleve në filma, Margarita Xhepa shprehet se "kam punuar me një pasion të jashtëzakonshëm dhe dashuria që kam patur për teatrin më ka bërë që të gërmoj vazhdimisht nëpër labirintet e artit për të gjetur sekretet dhe të fshehtat e tij".
E pyetur se cilin nga rolet vlerëson më tepër gjatë gjithë karrierës së saj artistike, aktorja Margarita Xhepa thotë se "në moshë të re ka qënë roli i Ofelisë, sepse është një rol që në jetën artistike nuk të vjen kollaj, dhe një rol që përveç punës dhe ndihmës së regjisorit, kishte nje përshtatshmëri tek unë. Ndërsa nga rolet e fundit do të theksoja Hekubën, mbretëresha e Trojës, e Euripidit, tek "Trojanët", që pata fatin ta prek këtë ëndërr".
"Teatri Kombëtar më ka bërë të ëndërroj", tregon në një intervistë për ATSH-në, aktorja e mirënjohur e skenës shqiptare, Drita Haxhiraj, e cila ka luajtur edhe në skenat ndërkombëtare.
Me përfundimin e Institutit të Lartë të Arteve në 1967 ajo emërohet aktore e Teatrit Popullor, ku për 25 vjet me radhë interpreton mbi 50 role në teatër dhe 11 role në filmin artistik.
"Roli im i parë ka qënë Ariana tek "Fytyra e Dytë", vepër e Dritëro Agollit, me regji të Pirro Manit, që më ka lënë mbresat e para pasi sapo isha emëruar në Teatër", thotë Haxhiraj. "Ajo që më ka lënë shumë mbresa ishte spektatori shumë artdashës, që zinte radhën njësoj si për qumështin, për të blerë biletën për këtë komedi, ku luanin Kadri Roshi, Violeta Manushi, Viktor Gjoka, etj", tregon Drita.
Por aktorja Haxhiraj nuk lë pa përmendur edhe rolin e Vitës tek "Lumi i Vdekur". Jam kënaqur nga ky personazh sepse vetë autori Jakov Xoxa kur u ngjit në skenë dhe më uroi tha "Vita ime është gjallë".
Ajo kujton se "pritja e ngrohtë që pati nga aktorët e mëdhenj të asaj kohe si Violeta Manushi, Besa Imami e cila më ka ndihmuar jashtëzakonisht nga ana profesionale, Margarita Xhepa, Marie Logoreci, më jepnin një siguri në skenë sepse luaja me pedagogët e mi".
Sot në 65 vjetorin e Teatrit Kombëtar Drita Haxhiraj pohon se "me shfaqjet e fundit që Teatri ka vënë në skenë mendoj se me aktorët e rinj që kemi do të ngrihet niveli i TK", por sipas saj, "artistët e mëdhenj si Sandër Prosi, Prokop Mima, Naim Frashëri do të ngelen ata".
E pyetur nëse do t'i kthehej edhe njëherë skenës së TK, ajo pohon se "Teatri ka një të mirë që për të gjitha moshat ka role. Unë do t'i kthehem skenës së Teatrit, pasi unë nuk jetoj dot pa ëndërruar".
Ajo tregon se edhe në vendin ku jeton aktualisht, në Romë, është angazhuar me role në filma, si "La Scuardra" tek Rai Tre, etj , por me Teatrin, thotë ajo, nuk krahasoj asgjë".
Edhe aktorja Edi Luarasi kujton momentet dhe rolet e para në teatër. "Ne jemi nga studentët e para që dolëm nga Instituti i Lartë i Arteve, tha Luarasi, duke shtuar se "ne erdhëm me një përvojë të mirë nga shkolla, por përvojën me të fortë e mësuam në Teatrin Kombëtar".
E njohur si ikona e artit dramatik shqiptar, Edi Luarasi, që këtë vit festoi 70 vjetorin e saj të lindjes, tregon se " ne kemi pasur fatin që në oborrin e TK i shikonim përditë aktorët e mëdhenj të skenës, por që të luanim me ta na dukej si një ëndërr dhe për ne ka qënë një shkollë e dytë puna me këta kolosa të Teatrit, sepse kishin një përvojë që ne na ka ndihmuar shumë".
Në ceremoninë festive për 65-vjetorin e Teatrit Kombëtar u vu në skenë një pjesë nga komedia "Topazi", e shkrimtarit francez Marcel Pagnol, përkthyer nga Nonda Bulka, interpretuar nga aktorët e TK, Anila Bisha, Vasjan Lami e Naum Shundi.
Për të rikujtuar edhe njëherë punën e krijimit të Teatrit Komëntar, u shfaq gjithashtu dhe Filmi dokumentar mbi "Historinë e Teatrit Kombëtar", përgatitur nga Radio-Televizioni Shqiptar.
Ceremonitë për 65- vjetorin e Teatrit Kombëtar do të vazhdojnë sonte në mbrëmje, ku do të shfaqet drama "Darka e Gabuar" bazuar në veprën me të njëjtën emër te Ismail Kadaresë ./s.s./