Tiranë: Arrestohet Biznesmeni Që Dhunoi Artistin Maks Velo
TIRANË, 27 maj /ATSH/ - Policia e Tiranës arrestoi të enjten në mbrëmje një person të dyshuar se ka ushtruar dhunë ndaj artistit Maks Velo, bëjnë të ditur burime të policisë.
Sipas njoftimit të policisë, pasi ka lexuar në media se Maks Velo është dhunuar nga një biznesmen, policia ka kontaktuar Velon dhe i ka marrë një kallëzim për ngjarjen.
Sipas policisë, "Maks Velo, në kallzimin e tij ka deklaruar se është fyer, kanosur dhe goditur për shkak të publikimit në një media të shkruar, të një artikulli më datë 11.03.2010".
Pas kallëzimit, policia arrestoi biznesmenin Shpëtim Dama, 50 vjeç, me banim në Tiranë, i cili akuzohet për veprën penale të "Kanosjes" dhe "Dëmtime të tjera me dashje", thuhet në njoftimin e policisë.
Në një letër solidarizuese në gazetën "Shqip", disa intelektualë botuan një deklaratë në përkrahje të Maks Velos.
"Ne, miq dhe kolegë të Maks Velos, jemi tej mase të indinjuar për sulmin që i është bërë dje këtij arkitekti, artisti dhe shkrimtari nga një ndërtues biznesmen në Tiranë. Maks Velo është nga të paktit arkitektë, në mos i vetmi që ngre zërin sot për ruajtjen e kujtesës historike dhe të gjelbërimit në Tiranë e gjetiu, kundër shëmtimit urbanistik dhe kundër sulmit të antikulturës mbi kryeqytetin tonë. Ai ka botuar disa herë, me fotografi, shembuj negativë e pozitivë nga zhvillimi arkitekturor jo vetëm i Tiranës, por edhe i Korçës dhe vendeve të tjera të Shqipërisë. Mirëpo angazhimi i tij qytetar e pruri dje nën brutalitetin e një njeriu, i cili kujton se pasuria e tij dhe lidhje të caktuara që mund të ketë me politikanë, e sjell në pozitë sunduese në shoqërinë tonë, nga ku mund të mbysë edhe zërin publik," citohej deklarata e intelektualëve, nga gazeta. /ch/