Tiranë, 28 maj, NOA - Në se ju nevojitet një kredi konsumatore vështirë se mund ta merrni në bankat e nivelit të dytë. Këto të fundit e kanë tkurrur ndjeshëm këtë lloj kredie, për shkak të rrezikut të lartë që ajo mbart në moskthim.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në pesë muajt e parë të vitit, kredia individuale si dhe overdraftet kanë shënuar rënie. Edhe individët hezitojnë të kërkojnë, për shkak të kostove të larta që mbart huaja konsumatore.
Sipas ekspertit të ekonomisë Adrian Civici, bankat kanë frenuar dhënien e kësaj kredie, pasi nuk kanë më të njëjtin besim tek individët.
Në këtë mënyrë, bankat janë bërë edhe më strikte në kriteret që ato aplikojnë, ndaj klientëve të tyre. E gjithë kjo situatë tregon për një rënie të aftësisë paguese nga individët.
Ky fakt konfirmohet edhe nga rritja e kredive me probleme, të cilat kanë arritur në 10.5 % të totalit. Por përveç të tjerash, gjendja aktuale ekonomike reflektohet tek pasiguria që shoqëron individët në vendet e tyre të punës.
Por nuk janë vetëm individët të “papreferuarit” e bankave. Edhe sektori i ndërtimit nuk është në preferencat e bankave për tu kredituar. Kjo për shkak edhe të rënies që ka shënuar ky sektor në ekonomi, pasi shitjet e pasurive të patundshme janë tkurrur ndjeshëm.
Një tjetër ekspert ekonomie Zef Preçi është i mendimit se banka qëndrore nuk e ka bërë siç duhet punën e saj. Sipas tij, institucioni i lartë monetar nuk është vetëm për të garantuar depozitat e shqiptarëve, por edhe të stimulojë apo të kërkojë menaxhimin e tyre, duke i kthyer në kredi për qytetarët.
“Unë jam i mendimit se në kushtet aktuale, banka duhet të ndërhyjë për të kryer një ristrukturim të kredive me probleme, në mënyrë për ti ardhur në ndihmë biznesit apo individëve që nuk kanë mundësi të paguajnë huanë”, thotë Preçi.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi pak ditë më parë se investimet tek biznesi kanë shënuar rënie.
Sipërmarrjet private, në kushtet e një mungese likuiditeti kanë hezituar të zhvillojnë aktivitetin. Kjo do të thotë se ka munguar hapja e vendeve të reja të punës.
r.l/NOA