English

Vazhdojnë Kërkimet Për Gjetjen E 6 Vjeçares Të Zhdukur Prej Disa Ditësh

- Në ndihmë të policisë edhe helikopterë të KFOR-it- KUKËS, 28 Maj/ATSH-R.Hoxha/.- Kërkimet intensive për gjetjen e vajzës 6 vjeçare, të zhdukur që nga mbasditja e së shtunës së kaluar në fshatin Zapod, vijojnë pa ndërprerje nga policia e Kukësit dhe banorët e fshatrave përrreth. Tashmë po kërkohet edhe në territorin kosovar, ndërsa sot në mesditë e deri mbasdite në kërkim kanë qenë edhe dy helikopterë të KFOR-it të Kosovës, të cilët kanë vëzhguar e fotografuar një zonë të gjërë në kufirin Shqipëri - Kosovë. "Pavarësisht kërkimeve që do të vazhdojnë edhe në ditët e tjera, nuk ka ende asnjë gjurmë të vajzës së zhdukur", thanë burime zyrtare të policisë lokale. Sipas tyre, megjithse provat janë të pakta, gjithnjë e më tepër po mendohet për një rrëmbim për qëllim trafikimi. Ngjarja e rënë zë fill në pasditen e 22 majit, kur të afërmit kanë dhënë alarmin për zhdukjen e papritur të 6 vjeçares B.M, që ndodhej vetëm 400 metra larg fshatit Zapod, rreth 40 kilometra larg qytetit të Kukësit. /s.s./
KOMENTE