English

Vetëm më të mirët

Ka shumë profesionistë me cilësi, persona me integritet, të cilët janë të disponueshëm për të dhënë kontribute të mëdha për gjyqësorin. Nëse emërohen ata, e fituara është Shqipëria. Vetëm më të mirët. Shqipëria nuk meriton asgjë më pak

English Version

Nga Dr. Roger D. Sherrard*

Shqipëria përjetoi një humbje të madhe javën e kaluar. Kjo përgjithësisht ka kaluar pa u vënë re në rrëmujën politike. Thjesht një tjetër votim në Kuvend, pas një seance të përshpejtuar. Askush nuk e kuptoi që po ndodhte. Ishte thjesht një tjetër votim i politizuar me arsye të turbullta apo pa arsye që kishin sadopak logjikë për cilindo që di diçka mbi sistemin shqiptar të drejtësisë. Edhe pse i pavënë re nga shumica e njerëzve, votimi në Kuvend për të refuzuar emërimin e Vangjel Kostës për në Gjykatën Kushtetuese është një gabim kolosal. Ky votim flet shumë mbi politikën shqiptare, e cila aq shpesh shkatërron pikërisht më të mirët.

Së pari, është e rëndësishme që të përgëzohet Presidenti Topi për emërimin e Z. Kosta. Ishte një zgjedhje e shkëlqyer. Në të njëjtën kohë, Presidenti Topi emëroi dy persona të tjerë për tre postet në Gjykatën Kushtetuese: Gjyqtaren Altina Xhoxhaj, një gjyqtare me përvojë në Gjykatën e Rrethit të Tiranës dhe Anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë; dhe gjyqtarin Bashkim Dedja, një gjyqtar me përvojë i Gjykatës së Apelit në Durrës.

Nga të tre personat e emëruar, Z. Kosta është qartazi më i kualifikuari, ka përvojën më të madhe dhe ka një reputacion të pacënuar për integritet si ish gjyqtar i Gjykatës së Lartë, si avokat, dhe si profesor në Shkollën e Magjistraturës. Një pjesë e madhe e komunitetit të juristeve në Shqipëri beson fort se çfarëdo vendimi që Z. Kosta do të merrte si gjyqtar do të ishte i drejtë dhe i paanshëm. Dhoma e Avokatëve e Shqipërisë e mbështeti kandidaturën e Z. Kosta për në Gjykatën Kushtetuese si një jurist me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Për rrjedhojë, mbetet mister pse arritjet e tij profesionale nuk u vunë në dyshim nga askush përveçse nga parlamenti. Pse?

Kemi parë të ndodhin edhe më parë gjera të tilla. Si arsye për refuzimin përmenden thashetheme të mjegullta dhe të pabaza, por nuk ofrohen kurrë prova faktike. Ç’është më e keqja, kandidati i dëgjon këto thashetheme pasi vendimi është marrë. Për kandidatin, presidentin, mbështetësit e kandidatit, dhe më me rëndësi akoma, për qytetarët, nuk ka kohë për t’u përgjigjur këtyre. Kjo është një mungesë themelore transparence që i heq Shqipërisë mundësinë për një proces të drejtë dhe të drejtpeshuar përzgjedhjeje.

Kur ndodh kjo mungesë transparence, kundërshtimet e pabazuara shoqërohen me shprehje të tilla si, “nuk mund të bëhet gjë,” ose “ndoshta në të ardhmen do ketë emërime më të mira.” Ankesat që bëhen publikisht shpejt harrohen ndërkohë që në faqet e gazetave zë vend krisa e radhës. Në këtë rast, humbja është e Shqipërisë sepse është refuzuar një tjetër prej qytetarëve të saj më të mirëkualifikuar dhe me vullnet. Pse?

Humbja është e Shqipërisë sepse personi më i mirë i emëruar nuk do të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Humbja është e Shqipërisë sepse njerëzit më të mirë do të hezitojnë të aplikojnë për poste të rëndësishme në të ardhmen. Humbja është e Shqipërisë sepse një zë i mençur dhe i pavarur do t’u mungojë shumë vendimeve të rëndësishme që do të duhet të marrë Gjykata Kushtetuese. Humbja është e Shqipërisë sepse bashkësia ndërkombëtare e di çfarë ka ndodhur dhe e pranon këtë si një gabim kolosal. Humbja është e Shqipërisë sepse populli i saj e di që kandidati më i mirë është rrëzuar. Pse?

Synimi i këtij artikulli është më afatgjatë se sa thjesht të shprehë shqetësim për refuzimin nga Kuvendi të një profesionisti të shkëlqyer. Edhe në të kaluarën janë refuzuar profesionistë të shkëlqyer dhe shpresojmë se edhe në të ardhmen do të emërohen profesionistë të shkëlqyer. Por Shqipëria nuk e ka luksin të mbajë më të mirët e saj larg sfidave me të cilat përballet gjyqësori. Këto sfida kanë nevojë për të mirët, më të mirët, për të zhvilluar një pushtet gjyqësor që do t’iu shërbejë interesave më të mira të popullit.

Demokracitë e zhvilluara euro-atlantike e kanë mësuar këtë nëpër shumë vite. Ne duam ta shohim Shqipërinë të gëzojë përfitimet dhe garancitë që vijnë nga një pushtet gjyqësor sa më i mire i mundshëm. Kjo është arsyeja pse jam i shqetësuar për refuzimin e fundit nga parlamenti shqiptar. Çfarë do të ndodhë me kandidatë të tjerë të mirë tani?

Një pushtet gjyqësor i fortë, profesionist dhe i pavarur është gur themeli në demokraci. Emërimi i më të mirëve në postet gjyqësore është me rëndësi kritike për një gjyqësor që funksionon me efektivitet. Një sistem gjyqësor që garanton gjyqe të drejta dhe të paanshme dhe vë në zbatim sundimin e së drejtë, jo sundimin e njeriut, është me rëndësi thelbësore për stabilitetin dhe begatinë afatgjatë të Shqipërisë. Ata që do të donin të dobësonin gjyqësorin, në të vërtet dobësojnë Shqipërinë si të tërë dhe shkurajojnë qytetarët e shkëlqyer të saj që të përftojnë vlera demokratike dhe euro-atlantike.

Një prej vendimeve më të rëndësishme që mund të marrë një President i Shqipërisë është emërimi i personave me kualifikim të lartë për vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Kuvendi ka rolin e tij, por duhet të respektojë këto emërime presidenciale dhe jo t’i rrëzojë ato pa një proces të drejtë dhe transparentë. Ka shumë persona me kualifikim të lartë me përvojë gjyqësore, me intelekt të mprehtë dhe emër të shkëlqyer për integritet që duan t’i shërbejnë vendit të tyre. Është pushteti dhe detyrimi ekskluziv i Presidentit të Shqipërisë që të emërojë persona që i përmbushin këto pritshmëri. Pushteti dhe detyrimi i Kuvendit janë që të shqyrtojnë dhe të japin pëlqimin emërimeve të Presidentit, jo të gërryejnë tërësisht për përfitime politike të drejtën kushtetuese të Presidentit.

U bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira të gjejnë një mënyrë për të rishikuar emërimin e Z. Kosta. Një gjë e tillë do të dërgonte një mesazh të fortë se Kuvendi dëshiron të veprojë në mënyrën e duhur. E kuptoj që një gjë siç e sugjeroj do të ishte i paprecedent, por nuk mund të konceptoj kurrgjë tjetër e cila do të ishte më e efektshme për të inkurajuar popullin, miqtë e Shqipërisë dhe gjyqësorin. Për të ardhmen, i bëj thirrje Presidentit Topi të vazhdojë të emërojë më të mirët për të plotësuar vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.

Dhe në të gjitha rastet, i bëj thirrje Kuvendit që t’i shqyrtojë emërimet gjyqësore të Presidentit me seriozitet dhe respekt. Seancat dëgjimore duhet të jenë të planifikuara kohë përpara, të bëra publike dhe të hapura për publikun. Argumentet pro dhe kundër duhen paraqitur përpara votimit.

Një proces i tillë do të ndërtonte besimin e popullit shqiptar në sistemin e tij gjyqësor dhe qeverinë e tij. Një proces i tillë do t’i tregonte bashkësisë ndërkombëtare se Shqipëria do gjyqtarë që do të zbatojnë shtetin juridik dhe do të marrin vendime në mënyrë të drejtë dhe të paanshme mbi çështjet. Një proces i tillë do të ishte nxitës për gjykatësit shqiptarë që do të shihnin se pushtetet ekzekutive dhe legjislative të qeverisjes duan vetëm më të mirët.

Ka shumë profesionistë me cilësi, persona me integritet, të cilët janë të disponueshëm për të dhënë kontribute të mëdha për gjyqësorin. Nëse emërohen ata, e fituara është Shqipëria.

Vetëm më të mirët. Shqipëria nuk meriton asgjë më pak.

(*) Dërguar nga autori, Avokat dhe Këshilltar Ligjor. Z. Sherrard është avokat në Shtetet e Bashkuara. Ai ka punuar me gjyqësorin shqiptar qysh nga viti 1992, merr pjesë në kualifikime gjyqësore dhe këshillon udhëheqës të qeverisjes dhe miq të Shqipërisë mbi çështje gjyqësore. Presidenti Moisiu i akordoi z. Sherrard Medaljen për Merita të Veçanta Civile për kontributet e tij për gjyqësorin shqiptar. Z. Sherrard ka vizituar Shqipërinë 40 herë.
KOMENTE