English

Vëzhgim/ Vlorë: Projekti I Mbetjeve Urbane, Një Histori Disa Vjeçare Mossuksesi

VLORË, 28 maj/ATSH-H.Koçi/ - Projekti i ndërtimit të vendit të ri për hedhjen dhe përpunimin e mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës, i nisur disa vjet më parë, ende nuk po konkretizohet, edhe pse është hartuar e diskutuar, madje ka kaluar dy shkallë të vendimmarrjes, nuk gjen zbatim për shkak të mospërcaktimit të vendit ku do të ngrihet. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika tha për ATSH-në se, "fondet janë gjetur dhe për zbatimin e tij pengon komuna Qendër, në territorin e të cilës është menduar të realizohet ky investim". Ndërsa kryetari i komunës Qendër, Fredo Berberi shprehet se për ndërtimin e landfilldit kërkohet dhe miratimi i komunitetit të banorëve, të cilët e kundërshtojnë këtë ide. Pak vjet më parë, Këshilli i Qarkut të Vlorës nisi procedurat për konkretizimin e një projekti për përpunimin e mbetjeve urbane të qytetit në bashkëpunim me bashkinë e Vlorës, që synon standarde bashkëkohore. Hedhja dhe përpunimi i mbetjeve urbane përbën një problem shqetësues për Vlorën. Vendhedhja aktuale ndodhet në periferi, por shumë afër kufirit të banesave të fundit, që janë ndërtuar aty me popullimin e zonave periferike të Vlorës nga fluksi i lëvizjeve demografike pas viteve '90-të. Përpunimi i mbetjeve të ngurta shoqërohet me ndotje të mjedisit dhe pasoja të tjera të dëmshme. Sidomos shqetësimi shtohet në periudhën e verës, kur rriten temperaturat dhe popullsia për shkak të ardhjes së pushuesve. Këshilli i Qarkut në bashkëpunim me Bashkinë kanë përgatitur një plan perspektiv për menaxhimin e mbetjeve urbane për qytetin, pjesa kryesore e të cilit lidhet me përzgjedhjen e një vendhedhjeje(landfilld) të ri për mbetjet, instalimin e teknologjisë për përpunimin e tyre sipas standardeve të kohës. Për këtë arsye është menduar paraprakisht një sipërfaqe prej 20 hektarë në afërsi të fshatit Bestrovë, 5 km në veri të qytetit, që sipas specialistëve, përmbush parametrat e nevojshëm. Por edhe për këtë projekt kërkohet konsensus më i gjerë, ku përfshihen dhe banorët e zonës si dhe një studim fizibiliteti për këtë sipërfaqeje. Pas tyre, do të vendoset për procedurat e mëtejshme që do të vazhdojnë në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave. Projekti i plotë i "landfilld"-it, që do të mbështetet nga qeveria dhe Banka Botërore, parashikohet të ketë një vlerë financiare prej 6.2 milionë euro dhe do të zbatohet në dy faza, në një perspektivë 20 vjeçare. Në fazën e parë përfshihet realizimi dhe përmirësimi i standardeve të grumbullimit, transportit dhe hedhjes së mbeturinave, ku veçohet mundësia e riciklimit të kategorive të caktuara të mbetjeve urbane, vecanërisht atyre me material plastik./ch/
KOMENTE