English

Vizat, Tahiri: Topalli e Basha, ekstazë dhe entuziazëm i pajustifikuar

Tiranë, 28 maj, NOA – Për Partinë Socialiste deklaratat e përfaqësueseve të mazhorancës për liberalizimin e vizave nuk janë të justifikuara. Deputeti Saimir Tahiri u shpreh sot se përpara se të gëzojë, anëtarët e mazhorancës duhet të tregojë se përse vendimi për vizat nuk u dha më parë

“Jozefina Topalli dhe Lulzim Basha, po shfaqin ekstazat e një entuziazmi të pajustifikuar mbi propozimin për liberalizimin e vizave, kur sot kanë ditën e tyre, ata, Sali Berisha dhe e gjithë maxhoranca, të kërkojnë falje publike pse nuk kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara duke e lënë Shqipërinë dhe shqiptarët të fundit në Ballkan edhe për një kohë të pacaktuar”, u shpreh Tahiri.

Reagimi i Tahirit ka ardhur pas akuzave që i janë bërë PS-së për mungesë kontributi në hartimin e ligjeve të nevojshme për vizat.

Tahiri ka akuzuar personalisht Topallin dhe Bashën duke i cilësuar si njerëz që kanë abuzuar me pushtetin.

“Jozefina Topalli, spikerja më abuzive e Parlamentit në shërbim të manipulimit dhe korrupsionit parlamentar me përgjegjësi kryesore për cenimin e demokracisë parlamentare dhe shtetit ligjor, si dhe Lulzim Basha, ministri më i kërkuar nga drejtësia për vjedhjen korruptive të pasurisë publike, filluan të shfaqen mburravec para kamerave kur sot duhet të mbajnë përgjegjësi më shumë se kurrë pse ëndrrën shumëvjeçare të shqiptarëve për të lëvizur pa viza, e kanë kthyer në makthin pambarim që ende vazhdon e shtyhet pa afat”, u shpreh Tahiri.

m.xh/NOA

KOMENTE