English

Berisha: Boshti i Jugut e kthen Beratin në qendër të turizmit

Berat, 29 maj, NOA – “Ndërtimi i Boshtit të Jugut do ta bëjë Beratin një qytet që do të ‘kapet’ nga turistët nga të gjitha drejtimet, nga Tirana, nga Saranda, nga Durrësi”. Kjo është deklarata që ka bërë Kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të rrugës “Pal Golemi” sot në qytetin e Beratit.

Kreu i qeverisë ka vlerësuar se investimet në Berat e bëjnë me një rëndësi të jashtëzakonshme këtë qytet. Duke u ndalur në inaugurimin e rrugës së re, Berisha u shpreh se ky është një investim i qeverisë në infrastrukturën e qytetit të Beratit.

“Kjo rrugë është një investim prej rreth 40 milionë lekë, me ndriçim dhe trotuare, në një nga lagjet më të skajuara të qytetit. Jam sot, këtu për t’u angazhuar se qeveria do të bëjë të gjitha investimet në këtë qytet, që të përfaqësojë me dinjitetin më të madh Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri.

Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha u bëri apel qytetarëve të Beratit për të ruajtur dhe konsoliduar tiparet dhe vlerat që ky qytet mbart dhe përfaqëson.

“Jam këtu, gjithashtu, për t’ju bërë një thirrje më vëllazërore të gjithë qytetarëve të mrekullueshëm të këtij qyteti, që të bëjnë çdo përpjekje për mirëmbajtjen e tij, pasi vizitorë nga mbarë bota vijnë këtu dhe ne duhet të përfaqësohemi me standardet më të larta të mbrojtjes së mjedisit, të pastërtisë, të rregullit”, u shpreh Berisha.

m.xh/NOA

KOMENTE