English

Bërthamore - Izraeli Dënon ''Hipokrizinë'' E Marrëveshjes Mbi 'Tnp'

JERUSALEM, 29 maj /ATSH-AFP/ - Izraeli, i shënjestruar ndjeshëm kohët e fundit, dënoi sot "hipokrizinë" e marrëveshjes së konferencës për rishikimin e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (TNP), mbi çarmatimin dhe krijimin e një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme, të arritur dje. "Kjo marrëveshje mban vulën e hipokrizisë. Vetëm Izraeli përmendet gjatë tekstit të marrëveshjes ndërkohë që ruhet një heshtje e plotë lidhur me vende të tjera si India, Pakistani, Koreja e Veriut që zotëron armë bërthamore, apo më keq akoma për Iranin që po përpiqet të prodhojë armë bërthamore", deklaroi për AFP një zyrtar i lartë izraelit i cili nuk pranoi t'i bëhej publik identiteti. "Fakti që nuk është bërë asnjë referencë lidhur me Iranin është shumë më shokuese se publikimi nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (AIEA) e gjithmonë e më shumë informacioneve kohët e fundit lidhur me natyrën ushtarake të programit bërthamor të Iranit", theksoi zyrtari. Konference s rishikimit të TNP miratoi me konsensus dje një deklaratë përfundimtare lidhur me aspekte të ndryshme të Traktatit dhe parashikon organizimin në vitin 2012 të një konference ndërkombëtare për çmilitarizimin e Lindjes së Mesme, "sipas të cilës të gjithë shtetet e rajonit presupozohet të jenë pjesëmarrëse" dhe kjo nënkupton praninë e Izraelit dhe Iranit./ /i.p/
KOMENTE