Bruksel - Lunacek: Nuk Ka Integrim Të Serbisë Në Be Pa Njohjen E Pavarësisë Së Kosovës
BRUKSEL, 29 maj 2010 /ATSH-MIA/ - Serbia nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian nëse nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk realizon një bashkëpunim të mirë me autoritetet e Prishtinës, deklaroi Ulriche Lunacek, raportuese speciale e Parlamentit Evropian për Kosovën, në një intervistë për gazetën serbe "Danas".
"Synimi im kryesor është integrimi në BE i të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nëse ata janë serbë, shqiptarë apo të një kombësie tjetër", tha Lunacek.
''Për t'u arritur ky qëllim nuk duhet parë nga e kaluara, por drejt së ardhmes. Kundërshtimi pa fund i pavarësisë së Kosovës, kurrsesi që nuk ndihmon'', shtoi ajo.
Duke folur për rezolutën e propozuar nga ajo në Parlamentin Evropian, ku u bëhet thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Lunacek tha se "është e domosdoshme një politikë e fuqishme e përbashkët e BE-së që të gjitha shtetet anëtare të kenë pozicion të njëjtë''.
"Pavarësia e Kosovës sot është 'de facto' një realitet, prandaj nuk ka kuptim të kthehemi prapa dhe të diskutojmë për këtë realitet sërish nga e para", thotë Lunacek./
a.jor.