English

Bumçi: BE nuk ka vendosur afate, ultimatumet e Ramës i mori Lana

Tiranë, 29 maj, NOA – Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, reagoi sot për deklaratat e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama për ultimatumin dy javor të vendor nga institucionet ndërkombëtare.

Bumçi u shpreh se “nuk ka ultimatum nga asnjë vend dhe institucion në Europë”, duke shtuar se institucionet demokratike nuk japin kurrë ultimatume. Sipas Bumçit, i vetmi person që jep ultimatume prej një viti është, kreu i PS Rama. Por duke u ndalur më gjatë në këtë pikë, Bumçi ka shtuar se “ultimatumet e Ramës i ka marrë lumi Lana”.

“Duhet te rikujtoj z. Rama se institucionet demokratike nuk japin kurrë ultimatume ndaj një maxhorance demokratike dhe një vendi të lirë. Se ultimatumet dhe dialogu përjashtojnë njeri tjetrin. Ultimatumet japin njerëz si Bin Ladeni”, ka thënë Bumçi sot në një deklaratë për mediat.

Ai shtoi se dhe në “kampusin 19 ditor i ngritur në bulevardin kryesor të Tiranës nga z. Rama, bllokmenët e rinj si dhe kasnecët e tyre të pavlerë adresuan një seri pafund ultimatumesh ndaj maxhorancës qeverisëse, por dhe ato patën fatin e të parave”.

Bumçi shtoi se greva e urisë u injorua nga ndërkombëtarët dhe u mbështet vetëm nga “diktatori i fundit shqiptar Ramiz Alia dhe unë sot duhet ta përgëzoj z. Rama për mbështetjen që mori”.

m.xh/NOA

KOMENTE