English

Çeki - Zgjedhjet Legjislative - Rifillon Votimi, Pjesëmarrje E Madhe

PRAGË, 29 maj /ATSH-AFP/ - Procesi i votimit rifilloi sot në orën 08:00 lokales (06:00 GMT) për të zgjedhur 200 deputetët e Dhomës së Ulët të parlamentit çek, në një votim të karakterizuar nga një pjesëmarrje e madhe. Dita e parë e votimit përfundoi dje në orën 22:00 (20:00 GMT), me një pjesëmarrje që i afrohej shifrës 50 për qind. Të 14 760 qendrat e votimit do të mbyllen sot në orën 14:00 (12:00 GMT). Socialdemokratët (CSSD) e Jiri Parubekut, kryeministër në vitet 2005-2006, ishin në krye sipas sondazheve të fundit parazgjedhore, duke lënë pas partinë e djathtë ODS aktualisht e drejtuar nga nënkryetari i saj, Petr Necas. Megjithatë, asnjëra nga 25 partitë në garë nuk mendohet të fitojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe njoftimi i rezultateve i parashikuar për sot në mbrëmje ose gjatë natës pritet të shënojë fillimin e bisedimeve, që duken të vështira, për formimin e një koalicioni. Partia komuniste KSCM e mbajtur larg që prej vitit 1989, shpreson të marrë vota prej të harruarve nga reforma të qeverisë së qendrës së djathtë të liberalit Mirek Topolanek, nga nostalgjikët e epokës sovjetike, por edhe nga të rinj. Përveç CSSD-së, ODS-së dhe KSCM-së, dy grupime të krijuara së fundi, TOP 09 (e djathtë) e ish-shefit të diplomacisë Karel Schwarzenberg, dhe Çështjet publike (VV, centriste) e ish-gazetarit Radek John, pritet të gjithashtu të kalojnë pragun e 5 për qindëshit të nevojshëm për t'u zgjedhur. /I.Pu.
KOMENTE