English

Dossier/ Elbasani, Nyja E Lëvizjes Me Rrugë Moderne, Nyja E Lëvizjes Me Infrastrukturë Moderne

/ - Elbasani ka qenë një nyje me rëndësi, për tregëti e komunikacion, qysh në shekullin e XV. Historiani Kujtim Bevapi thotë për ATSH se "në luftën e Parë Botërore austro-hungarezët zgjeruan rrugën Tiranë-Qafë Krrabë-Elbasan, dhe pas vitit 1921 filloi ndërtimi i rrugëve të mirëfillta." "Në vitet 1921-1925 nisën të ndërtoheshin një sërë rrugësh si Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë 76.5 km e gjatë, rruga Durrës-Elbasan në vitin 1925, gjithashtu edhe rruga Elbasan-Llixhë-Gostimë. Në vitin 1926 përfundoi rruga Elbasan-Gramsh, 45 km, si edhe Elbasan-Peqin 36km," tregon Bevapi. Me kalimin e viteve, rrugët u amortizuan së tepërmi, dhe vetëm në dy dekadat e fundit rinisën investime të mëdha në infrastrukturë. - Zhvillimi i shpejtë i infrastrukturës - Para 20 vjetësh, Elbasanin e përshkonte vetëm një rrugë, ajo që vinte nga Durrësi në Peqin e vazhdonte drejt Korçës, një rrugë e gërryer nga përrenjtë, e shtruar me kalldrëm dhe pa asnjë vepër tjetër arti. Ndërsa sot qytetin e përshkojnë nga të gjitha anët rrugë të parametrave europianë. Nga perëndimi dhe jug-perëndimi dy arterie të fuqishme vijnë, njëra nga Durrësi dhe tjetra nga Tirana për të vazhduar më pas në rrugën superstradë, drejt Korçës. Enver Jakupi, taksixhi, punon në linjën Elbasan-Durrës. "Para viteve 2000 ishte një tmerr i vërtetë për mua dhe pasagjerët e mi të përhershëm të udhëtonim nga Elbasani deri në Peqin. Një rrugë e ngushtë me gropa, në çdo 20 metra. Makina (furgon) m'u amortizua, dhe të gjithë paratë që merrja nga pasagjerët thuajse shkonin tek mekaniku", thotë Enveri. Por sot, ai ka blerë një mjet të ri. "Me Ford-in fluturoj drejt Durrësit. Pasagjerët janë po ato, kanë krijuar besim tek unë dhe herë herë më thonë, kur nuk na gjeti gjë me ato rrugë të amortizuara, kurrë nuk ka për të na gjetur tani", rrëfen Enveri. E njëjta gjë ndodh edhe për rrugën e Gramshit. Drejt Gramshit niset një tjetër rrugë e asfaltuar dhe e mirëmbajtur, ku është vënë dorë edhe këto vitet e fundit. Ndërkohë rruga drejt Cerrikut, e kthyer në një gjendje të kënaqshme do të vazhdojë akoma më tej për t'u lidhur, pas Belshit e Kosovës, me Lushnjën, dhe një degëzim i saj do të përshkojë tej përtej zonën e Mollasit drejt Kuçovës e Beratit. Rruga që lidh Elbasanin me zonën turistike të Gjinarit, dhe që do të vazhdojë deri në skajin më të largët të rrethit Zavalinën, është ende në ndërtim. "Në vitin 1993 bleva një tokë në Gjinar, e dija që do të vinte kjo ditë dhe infrastruktura do të ishte për ta pirë në kupë", thotë biznesmeni D. Kurmaku. Ai shton: "Rruga është drejt përfundimit. Ashtu si shtëpia ime që po ndërtoj në këtë pikë të mrekullueshme". Projekte të guximshme priten të zbatohen, Elbasani do të lidhet me Tiranën nëpërmjet një rruge dy herë më të shkurtër se ajo ekzistuesja. Komentet për ndërtimin e kësaj rruge janë të shumtë si nga qytetarë të thjeshtë, intelektualë, etj. Thuajse për të gjithë njësoj: "Ndërtimi i rrugës me tunel Elbasan-Tiranë, e kthen qytetin tonë në një lagje të kryeqytetit". Me këtë infrastrukturë moderne Elbasani vihet në pozita kyçe, si nyja më e rëndësishme e korridorit të tetë, një nyje që do të lidhi jo vetëm Veriun dhe Lindjen e Shqipërisë, por edhe shtetet fqinje me bregdetin e Adriatikut. Kjo infrastrukutë do të ketë efektin e saj pozitiv edhe në industri e bujqësi, për shkak të lehtësirave që u krijon prodhimeve për të mbërritur tregun./ch/
KOMENTE