Durrës, Arrestohen Tre Shtetas, Plagosën Punonjësit E Ujësjellësit
DURRËS, 29 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Forcat e policisë së Durrësit arrestuan sot shtetasit Fisnik Shehi, 27 vjeç, Rami Velia, 38 vjeç dhe Sherif Shehi, 27 vjeç, që të tre lindur në Vranjë të Dibrës dhe banues në fshatin Xhafzotaj, pasi akuzohen për plagosjen me thikë të dy punonjësve të ndërmarrjes së ujësjellësit të Durrësit.
Burime zyrtare nga policia e Durrësit bënë të ditur për ATSH-në se arrestimi i këtyre personave ka lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Xhafzotaj, 9 km larg qytetit bregdetar, kur dy persona mbetën të plagosur me thikë gjatë ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme në tubacionin kryesor të ujit.
Sipas burimeve, 53-vjeçari Besim Avdyli, gjatë ushtrimit të detyrës, është goditur në kokë nga një prej banorëve. Pas ndërhyrjes së të afërmve të tij për të qetësuar situatën 27-vjeçari Fisnik Shehi ka qëlluar me thikë duke plagosur shtetasit M. Avdyli dhe I. Karepi, gjendja shëndetësore e të cilëve është jashtë rrezikut për jetën.
Burimet thanë se dy të arrestuarit e tjerë do të përgjigjen për veprat penale të kanosjes dhe të goditjes për shkak të detyrës./m.sh/