English

Ekskursioni fatal i Kishës Ungjillore, vdes tragjikisht 15-vjeçarja

Ersekë, 29 Maj 2010 NOA Update – Një fund tragjik ka patur vajza e mitur nga Erseka, pjesëtare e Kishës Ungjillore, e cila në ekskursion ka humbur jetën kur një shkëmb u shkëput dhe ajo ra dhe gjeti vdekjen e zënë nga masivi i gurtë.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në orën 17.00 në Malin e Gramozit dhe pikërisht tek vendi i quajtur Ujëvara e Dytë.

Atje, janë ngjitur për ekskursion një grup të rinjsh e të rejash nga qyteti i Ersekës pjesëtare të Kishës Ungjillore.

Fiorela Nure, 15-vjeçe, banuese në Ersekë, e cila ishte me këta të rinj e të reja, ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra nga goditja e një pjese shkëmbi të shkëputur, gjatë rrugës për në kthim.

Vajza e mitur po përpiqej të kalonte ujëvarën kur humbi jetën nga shkëputja e masivit shkëmbor. Dëshmitarët thanë se e mitura po përpiqej të bënte fotografi gjatë momenteve fatale.

“Nga kryerja e veprimeve rezulton se kemi të bëjmë me ngjarje aksidentale”, - deklaroi policia por shtoi se “materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme”.

a.f/NOA

KOMENTE