English

Elbasan, Arrestohen Tre Shtetas Të Dyshuar Për Vrasjen E 55 Vjeçarit Alikaj

ELBASAN, 29 Maj /ATSH- Miranda Sadiku/. - Policia e Elbasanit arrestoi mesditën e sotme tre shtetas, të cilët dyshohen se janë autorët e vrasjes së 55 vjeçarit Gëzim Alikaj. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Valbona Begu, tha për ATSH-në se "brenda një harku kohor prej disa orësh u bë e mundur kapja dhe shoqërimi i shtetasve Ibrahim Caka, 31 vjeç, Elton Hyka, 30 vjeç dhe Ardit Spahiu, 28 vjeç, që të tre me banim në qytetin e Elbasanit, të cilët dyshohen se janë autorë të vrasjes së shtetasit Gëzim Alikaj, një natë më parë". Viktima Gëzim Alikaj u gjet i vrarë me plumb në kokë brenda automjetit të tij. Policia dyshon se vrasja është kryer për motive gjakmarrjeje, pasi vëllai i viktimës ka vrarë në Spanjë vëllain e shtetasit Ibrahim Caka. Zëdhënësja tha se ndaj shtetasve të lartëpërmendur u mor masa e arrestit si autorë të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë. Këta shtetas akuzohen për veprën penale të "vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim" si dhe "armëmbajtje pa leje"./s.s./
KOMENTE