English

Fishë Teknike - Pikat Kryesore Të Deklaratës Së Konferencës Tnp

NJU JORK (OKB), 29 maj /ATSH-AFP/ - Më poshtë vijojnë pikat kryesore të deklaratës përfundimtare të konferencës për rishikimin e Traktatit të mospërhapjes së armëve bërthamore, TNP, e miratuar dje me konsensus nga rreth 150 shtete pas një muaj bisedimesh. ZONË E PËRJASHTIMIT TË ARMËVE BËRTHAMORE NË LINDJEN E MESME - OKB-ja, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Rusia do të organizojnë një konferencë rajonale në vitin 2012 për krijimin në Lindjen e Mesme të një zone përjashtimi të armëve bërthamore dhe të armëve të tjera të shkatërrimit në masë. - Konferenca TNP konfirmoi rëndësinë dhe nevojën urgjente të miratimit të TNP-së nga të gjitha vendet. Ajo u bën thirrje të gjitha shteteve të Lindjes së Mesme që nuk e kanë nënshkruar ende atë të anëtarësohen pa vonesë në traktat si shtete që nuk kanë armë bërthamore. ÇARMATIMI BËRTHAMOR - Pesë fuqitë bërthamore në TNP (Kina, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe, Rusia) angazhohen për "përpjekje të tjera për zvogëlimin dhe më në fund asgjësimin e të gjitha kategorive të armëve bërthamore". Por, nuk u vendos asnjë afat kohor i detyruar. GARANCI SIGURIE - Konferenca e Gjenevës për çarmatimin duhet të fillojë menjëherë diskutimet për rregullime ndërkombëtare konkrete për të garantuar që shtetet që nuk kanë armë bërthamore të mos përdorin ose të mos kërcënojnë me përdorimin e armëve bërthamore. PROVA BËRTHAMORE - Të gjitha fuqitë bërthamore duhet të fillojnë të ratifikojnë menjëherë Traktatin për ndalimin e plotë të provave bërthamore (TICE). Në pritje të hyrjes së tij në fuqi, këto shtete të angazhohen të mos kryejnë prova me armë bërthamore LËNDËT E NDASHME BËRTHAMORE - Konferenca përsërit nevojën urgjente të bisedimeve dhe arritjes së "një traktati jo diskriminues, të shumanshëm dhe të verifikueshëm në shkallë ndërkombëtare" që ndalon prodhimin e lëndëve të ndashme bërthamore që përdoren për prodhimin e armëve bërthamore. MOSPËRHAPJA E ARMËVE BËRTHAMORE - Konferenca thekson se është e rëndësishme që shtetet t'i mbajnë të gjitha angazhimet në fushën e mospërhapjes së armëve bërthamore, për të ruajtur vlefshmërinë e traktatit dhe autoritetin e sistemit të garancive. - Ajo i inkurajon të gjitha shtetet që nuk e kanë nënshkruar ende traktatin ta bëjnë këtë dhe të përpiqen për hyrjen në fuqi sa më shpejt që të jetë e mundur të protokolleve shtesë dhe t'i respektojnë ato edhe përpara hyrjes në fuqi. - Ajo u bën thirrje shteteve të parashikojnë masa të veçanta që do të garantojnë universialitetin e marrëveshjeve të garancisë. PËRDORIMI PAQËSOR I ENERGJISË BËRTHAMORE - Konferenca u bën thirrje shteteve të përshpejtojnë bisedimet, "në një mënyrë jo diskriminuese dhe transparente nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) ose të forumeve rajonale", për zhvillimin e qasjeve shumanëshe të ciklit të lëndës djegëse bërthamore. KOREJA E VERIUT - Konferenca i kërkon me forcë Koresë së Veriut të respektojë angazhimet e marra në kuadrin e bisedimeve gjashtëpalëshe, përfshirë braktisjen e plotë dhe të verifikueshme të të gjitha armëve bërthamore dhe të të gjitha programeve bërthamore ekzistuese. Ajo i kërkon gjithashtu Phenianit "të rikthehet menjëherë në TNP dhe të anëtarësohet në klauzola garancie të IAEA-s". /I.Pu.
KOMENTE