English

Francë - Konferenca Tnp: Parisi Për Një Marrëveshje Më Të Ashpër Ndaj Iranit

PARIS, 29 maj /ATSH-AFP/ - Franca shprehu kënaqësinë sot për marrëveshjen e parë që prej 10 vjetëve të arritur dje në Nju Jork në konferencën për rishikimin e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve bërthamore, TNP, por do të kishte dashur dokumente "më të ashpra" ndaj krizës iraniane. "Franca shpreh kënaqësinë për miratimin nga konferenca të një dokumenti përfundimtar që përmban një plan pune ambicioz, i aftë të nxisë dinamikën e këtij Traktati themelor siç është TNP-ja", deklaroi në një komunikatë ministri i Jashtëm Bernard Kouchner. "Planet e miratuara të veprimit u bëjnë të mundur shteteve anëtare të TNP-së të kenë një qasje ambicioze, konkrete dhe të ekuilibruar, për vitet e ardhshme", vazhdoi ministri duke shprehur në të njëjtën kohë disa rezerva. "Sipas nesh, dokumentet mund të kishin qenë më të ashpra për krizat lidhur me çështjen e mospërhapjes së armëve bërthamore, në veçanti kriza iraniane që është në qendër të shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar", thekson shefi i diplomacisë franceze. "Megjithatë, ato janë rezultat i një kompromisi mes qëndrimeve të delegatëve dhe në përgjithësi përfaqësojnë një rezultat pozitiv, përfshirë perspektivën për një konferencë për Lindjen e Mesme, që do të bënte të mundur shprehjen e një vullneti politik të fortë nga komuniteti ndërkombëtar, si ai për një botë më të sigurt", shtoi ai. Konferenca për rishikimin e TNP-së miratoi me konsensus dje një deklaratë përfundimtare për aspektet e ndryshme të Traktatit dhe parashikon organizimin në vitin 2012 të një konference ndërkombëtare për Lindjen e Mesme pa armë bërthamore", "në të cilën mendohet të marrin pjesë të gjitha vendet e rajonit", gjë që përfshin praninë e Izraelit dhe të Iranit. Dokumenti dallon shtetin hebre, për të cilin shprehet se është e rëndësishme që Izraeli të anëtarësohet në traktat dhe t'i vendosë të gjitha objektet e tij bërthamore nën garancitë e përgjithshme të IAEA-s, ndërkohë që izraelitët nuk e kanë pranuar asnjëherë se kanë armë bërthamore. /I.Pu.
KOMENTE