Fuqia E Kujdesit Shëndetësor Parësor Çliron Sistemin Nga Korruspioni
- Deklaron ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në Konferencën e XVII vjetore për Mjekësinë Familjare -
TIRANË, 29 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - "Fuqia e sistemit shëndetësor parësor çliron nga ngarkesa e panevojshme spitalet, çliron sistemin nga korrupsioni dhe bën qytetarin më të qetë, por dhe eleminon diferencën mjekësore që krijohet në mënyrë fiktive", u shpreh sot ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
I pranishëm në Konferencën e XVII vjetore të Mjekësisë Familjare, e mbajtur në Hotel Doro City, Vasili theksoi se "ne sot funksionojmë nëpërmjet një sistemi referimi, i cili vë në themel të tij pikërisht qytetarin, që mundëson kontakt të ngushtë, efektiv dhe profesional të tij me mjekun e familjes, duke e bërë këtë të fundit të ketë rolin e pazëvendësueshëm".
Sipas tij, "sot marrëdhënia ndërmjet qytetarit dhe mjekut nuk është marrëdhënie korruptive, por që kalon në institucione". Duke vënë në dukje se "sistemi i referimit krijon mundësi që pacienti të kalojë në sistem sipas peshës së problemit që ka", ministri Vasili theksoi se "sistemi eviton në mënyrë absolutive që të kemi kontakte të drejtpërdrejta korruptive midis pacientit dhe sistemit, por krijon transparencë të plotë".
Shqiptarët, sipas tij, "perceptojnë tashmë që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejtë që kalon në rrugë profesionale dhe jo në rrugët e kalimit të parave nën dorë, apo të tjera".
Njëherësh, ministri Vasili u ndal në të ardhmen e sistemit shëndetësor parësor, duke theksuar se "sistemi parësor në përgjithësi, mjeku i familjes, do të vazhdojë të ketë mbështetjen e shtetit, duke qenë sistem i subvencionuar nga shteti shqiptar, në mënyrë që të funksionojë për pacientin pa probleme". Duke dhënë këtë mbështetje, sipas tij, "përsërisim modelet perëndimore, ku ky sistem mbështetet mirë nga shteti, ndiqen politika që promovojnë rritjen e vazhdueshme të pagave, por dhe që ofrojnë mundësi teknologji për ta përmirësuar atë".
"Çdo ide konfuze lidhur me privatizime të gjera të sistemit parësor nuk ka të bëjë me Shqipërinë", nënvizoi ministri i Shëndetësisë. /a.ke/