English

Hana: Autonomia, Arritje Pozitive Në Spitalin E Durrësit

- Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, mori pjesë në Konferencën e II-të Mediko-Kirurgjikale të Spitalit Rajonal Durrës - TIRANË, 29 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Eksperienca e projektit pilot të Intitutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor me spitalin e Durrësit, sot rezulton pozitive, gjë që ka bere që ai të mund te krahasohet me një spital të nivelit terciar, u shpreh sot drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, në Konferencën e dytë Mediko-Kirurgjikale të Spitalit Rajonal Durrës. Në këtë konferencë, të organizuar nën kujdesin e akademikut Besim Elezi dhe në pjesëmarrje të kirurgëve nga i gjithë vendi, u prezantua dhe projekti pilot i ISKSH-së me spitalin e Durrësit, i cili është përfshirë prej 9 vitesh në skemën e sigurimeve shëndetësore. "Falë përfshirjes së spitalit të Durrësit në skemën e sigurimeve shëndetësore, planifikimi i buxhetit bëhet sipas nevojave reale të spitalit nga profesionistet. Ka një autonomi më të madhe financiare dhe administrative në drejtim të përdorimit të fondeve, gjë që ka sjellë efektivitet në përdorimin e tyre", tha Hana. Sipas saj, performanca pozitive e spitalit të Durrësit në skemën e sigurimeve, ka bërë të mundur që sot pagat e personelit të jenë 15% më të larta, krahasuar me spitalet e tjera rajonale. Në këtë spital, është arritur 3-fishimi i të ardhurave dytësore, krahasuar me vitin 2003, gjë që ka sjellë përdorimin e mbi 50 % të tyre për investime, por edhe për stimulimin e stafit mjekësor. Hana u ndal në një element shumë të rëndësishëm për procesin e mirëfinancimit, siç është ai i përllogaritjes së kostove, falë së cilës fondet nuk planifikohen në bllok, por në bazë të nevojave. Sa i takon objektivave për të ardhmen në këtë spital, Hana theksoi se "synohet rikonceptimi i kontratës së vitit 2011 me elemente të rinj, siç është dhënia e pagesës mbi bazën e realizimit të indikatorëve të performancës, që mendohet të përçohet jo vetëm në nivelin e parë, pra në kontratat mes ISKSH dhe spitalit, por edhe në kontratat mes spitalit dhe mjekëve". Ndërsa, për të rritur më tej cilësinë e shërbimit, synohet implementimi i elementëve të partneritetit publik-privat për shërbimet mbështetëse. Për akademikun Elezi, "reformat në shëndetësi kanë nevojë për drejtues me vizion, por edhe për pjesëmarrjen aktive të të gjithë profesionistëve". Ndërsa, drejtues të Universitetit të Durrësit u shprehën se në vitin e ardhshëm akademik, ky universitet do të ketë për herë të parë Degën e Mjekësisë, nisur edhe nga niveli i lartë akademik i mjekëve të spitalit të Durrësit. /a.ke/
KOMENTE