Iniciativa Igman: Anëtarësimi Në Be Është Objektiv I Përbashkët
SARAJEVË, 29 maj /ATSH-TANJUG/ - Presidentët e Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe kreu i presidencës së Bosnje Hercegovinës nënshkruan sot në Sarajevë një deklaratë të përbashkët që thekson se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet strategjia e tyre e përbashkët.
Deklarata, e nënshkruar gjatë sesionit të 21-të të "Iniciativës Igman", apelon për rritjen e besimit të ndërsjellët në progresin e rajonit drejt anëtarësimit në BE.
''Katër vendet shprehin gatishmërinë e tyre për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe gjetjen e formave të reja për partneritet në përpjekje për të realizuar qëllimet e tyre evropiane'', thuhet në dokumentin e nënshkruar nga presidentët Boris Tadiç, Ivo Josipoviç, Filip Vujanoviç dhe Haris Silajxhiç.
"Anëtarësimi i plotë në BE është qëllimi strategjik i vendeve anëtare të "Iniciativës Igman" dhe partnerët evropianë pritet të njohin rëndësinë e përshpejtimit të këtij procesi", thuhet më tej në dokument.
Deklarata thekson nevojën për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve dhe problemeve ndërmjet këtyre vendeve nëpërmjet dialogut, në mënyrë që të tejkalohen diferencat historike për të vazhduar drejt të ardhmes dhe progresit në secilin prej këtyre vendeve dhe rajonin në tërësi.
Presidentët shprehën gatishmërinë e tyre për të zhvilluar sesione të rregullta dhe të diskutojnë për të ardhmen e rajonit dhe bashkëpunimin në realizimin e objektivit të përbashkët, që është anëtarësimi në BE.
Ata ranë dakord se gjatë dekadës së fundit është bërë shumë progres në marrëdhëniet ndërmjet vendeve të rajonit.
Dokumenti thekson gjithashtu se qeveritë e katër vendeve nënshkruese, shoqëria civile dhe të gjitha strukturat e tjera duhet të punojnë për tranzicionin social nëpërmjet reformave politike dhe strukturore.
/e.v/ a.jor.