Tiranë, 29 Maj, NOA /Rajmonda Lajthia - Vendi ynë vijon të mbetet prapa, për sa i përket aftësisë së tij për të thithur investime të huaja dhe këtë e tregon një raport i OECD i botuar së fundmi, i cili e rendit vendin tonë në vendin e dytë mes 10 shteteve pjesëmarrëse të rajonit, përsa u përket politikave tregtare, ku nga 7 indikatorë të marrë në shqyrtim, vetëm Shqipëria është e dyta mes vendeve të rajonit.
Treguesit e tjerë zbulojnë se vendi ka probleme serioze për të qenë tërheqës për të huajt, si në infrastrukturën për investimet, aksesin në financim, trajnimin e fuqisë punëtore, promovimin e mundësisë për investime dhe drejtime të tjera.Raporti tregon se të gjitha vendet e rajonit po konkurrojnë fort ndërmjet tyre me politikat e taksave. Por edhe me këtë tregues, përsëri vendi ynë nuk ka mundur të klasifikohet më lart se i pesti.
Nevoja për investimet të huaja në ekonominë shqiptare duket se është rritur ndjeshëm pas rënies së dërgesave të emigrantëve dhe problemeve me të ardhurat fiskale të shkaktuara nga kriza financiare.
Shifrat zyrtare tregojnë se viti 2009 është shoqëruar me rënie të fluksit të investimeve të huaja.
Me një total prej 698 milionë euro është shënuar një rritje modeste vetëm 3.4 për qind në krahasim me rritjen vjetore dyshifrore prej 40 për qind të realizuar në vitin 2008.
Raporti i investimeve të huaja direkte neto ndaj PBB-së për vitin 2009 vlerësohet 8.1 për qind, treguesi ky më i ulëti krahasuar me vendet e rajonit.
r.l/n.e/NOA