English

Lotaritë e jashtëligjshme, bllokohet pika e basteve në fshat

Korçë, 29 maj, NOA – Nuk janë vetëm qendrat urbane, vendet ku bastet sportive janë të përhapura në masë. ‘Sporti” i basteve tashmë ka nisur biznesin edhe në zonat rurale. Por, ashtu si në qytete edhe në pikat e basteve në këto zona mungojnë licencat dhe garancia financiare për ushtrimin e këtij aktivitetit.

Policia e Korçës njofton se ka nisur ndjekjen penale për pronarin e një pike bastesh në fshatin Koritë të qytetit të Korçës.

Pronari i pikës së basteve është Kastriot Ajasllari, 46 vjeç, i cili pre disa ditës në lokalin e fshatit kishte vendosur dhe një kompiuter për baste sportive ku bashkëfshatarët e tij kuotonin ndeshjet e kampionteve të futbollit.

Nga kontrolli i ushtruar nga policia rezultoi se përveç kompjuterit, Ajasllari nuk kish asnjë dokument të nevojshëm për ushtrimin e këtij aktiviteti. Hapja e një pikë bastesh, përveç garancisë financiare në një shumë konsiderueshme që duhet t’i jepet pikës qendrore, kërkon dhe një sërë dokumentesh garancie nga Ministria e Financave dhe nga Agjencia e Kontrollit të Lojërave të Fatit.

Policia njofton se nga kontrolli në lokalin e fshatit “u gjet një kompjuter për mbushjen e biletave sportive, për të cilin ai nuk dispononte asnjë dokumentacion përkatës”.

Policia ka nisur ndjekjen penale në gjendje të lirë ndaj Ajasllari dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

m.xh/NOA

KOMENTE