Mblidhet Në Tiranë Komiteti I Internacionales Socialiste Për Europën Juglindore
TIRANË, 29 Maj/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, theksoi sot se "Shqipëria duhet të ecë drejt integrimit europian dhe liberalizimit të vizave", ndërsa kërkoi që këto procese të mos ndikohen nga kriza aktuale politike në vend.
Duke folur në Komitetin e Internacionales Socialiste për Evropën Juglindore, që po zhvillohet në Tiranë, kryesocialisti Rama tha se "kriza ka paralizuar shumë sektorë të vendit".
Për sa i përket situatës ekonomike në vend, ai shprehu shqetësimin për errësirën e mungesës së informacionit nga qeveria për ekonominë. "Shqipëria është në krizë të gjithanshme demokracie dhe ekonomike dhe qeveria po fsheh të vërtetën për situatën reale në të cilën ndodhet vendi", tha ai.
Kreu i PS-së theksoi se "socialistët nuk tërhiqen nga kërkesa për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit përmes hapjes së kutive". "Kjo nuk bëhet për të ndryshuar rezultatin, por për të mos lejuar më zhvillimin e këtij sistemi korruptiv në zgjedhjet e ardhshme", tha ai.
Ndërsa bashkëkryetari i këtij komiteti, Sergei Stanishev, tha se "zgjedhjet nuk duhet të manipulohen dhe duhet të respektohet vota e lirë". Stanishev apeloi për mirëkuptim kombëtar, pasi kjo, sipas tij, "i shërben integrimit të vendit".
I pranishëm në këtë takim, Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala, u shpreh i inkurajuar nga lëvizjet e PS-së dhe theksoi se konsensusi është i nevojshëm./m.m//a.ke/