Tiranë, 29 Maj, NOA – Ministria i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese në të gjithë vendin për njohjen dhe marrjen e masave për zbatimin e ligjit të ri “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”.
“Qeveria shqiptare dhe strukturat e saj kanë ndërmarrë një aksion shumë të rëndësishëm për vendin, përafrimin e legjislacionit vendas me atë të vendeve të Bashkimit Evropian. Ky është jo vetëm një nga kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për liberalizmin e vizave dhe integrimin evropian të vendit, por edhe një nga premtimet që po përmbush kjo Qeveri”, u shpreh ministri Ksera, në një takim të zhvilluar në Gjirokastër me përfaqësues të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe zyrës rajonale të tij dhe përfaqësues të punëdhënësve dhe punëmarrësve, në kuadrin e kësaj fushate.
Më tej, Ksera e vuri theksin tek rëndësia që i ka dhënë ministria zhvillimit të dialogut social në vend, duke rritur bashkëpunimin institucional me partnerët socialë, sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve.
Ndërsa Inspektorja e Përgjithshme Vikrita Çuto bëri një prezantim te hollësishëm të të rejave që sjell ligji, duke theksuar se “qëllimi i tij është të garantojë sigurinë dhe shëndetin e të gjithë punëmarrësve në Shqipëri, nëpërmjet masave të marra për parandalimin e rreziqeve në punë, eliminimin e faktorëve që përbëjnë risk për aksidente, informimin dhe konsultimin e punëmarrësve për rreziqet në vendin e punës, pjesëmarrjen e balancuar të të gjithë aktorëve që operojnë në fushën e sigurisë e shëndetit në punë, përfshirë këtu rolin e madh të përfaqësuesve të punëmarrësve”.
n.e/NOA