Mjekësia E Familjes, Themeli I Sistemit Shëndetësor
TIRANË, 29 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Mjekësia e familjes konsiderohet në mënyrë reale themeli i sistemit shëndetësor, ndërkohë që roli i mjekut të familjes është i pazëvendësueshëm. Mjek i familjes do të thotë thotë njeriu që jeton me të gjithë gjendjen shëndetësore të familjes, të cilës i ofron shërbimin, u theksua në Konferencën e XVII vjetorë për Mjekësinë Familjare, me temë "Mjekët e familjes dhe paketa bazë e shërbimeve në kujdesin parësor", e mbajtur sot në Hotel Doro City.
"Shëndetësia përgjatë 20 viteve të tranzicionit ka vuajtuar edhe nga anashkalimi i mjekut të familjes, ndaj qëllimi i reformës së ndërmarrë në vitin 2007 në kujdesin parësor ishte vendosja e figurës së tij në vendin që meriton", tha drejtori i Kujdesit Parësor në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Gazmend Goduzi.
Sipas tij, referuar shifrave, mjeku i familjes është kthyer në pozicionin që ka. "Nga 10 % e popullatës që drejtohej tek mjeku i familjes, tashmë ne kemi 27 % të tyre", tha Goduzi, duke shtuar se "si rezultat i performancës së punës së mirë të mjekut të familjes, ata kanë arritur të rrisin të ardhurat e tyre, në bazë të formulës së re të financimit që është bërë". Sipas tij, mjekët e familjes kanë arritur që të marrin nga 2 rroga shpërblim në vit, pra nga 12 paga mujore në vit, në 14 të tilla".
Ndërkohë, nga studimet që janë bërë vlerësohet se dhe cilësia e kujdesit ndaj pacientit është rritur. Një ndër objektivat e ISKSH për të ardhmen është rritja e shpërblimit të mjekut të familjes për punën e mirë, duke bërë me dije se tre vitet të fundit është rritur me 60 % dhe do të rritet edhe më tej. "Nga ana tjetër, do të përpiqemi të rrisim efikasitetin e punës së tyre gjatë orarit të punës, çka do të thotë që do të bëhet elektronizimi i punës në qendra shëndetësore, duke eleminuar të gjitha burokracitë e duke patur kështu më shumë kohë të merren me pacientin", theksoi Goduzi.
Temat e seminareve për mjekët e familjes dhe ata të përgjithshëm, me moton "Transformim 2010", ishin roli i mjekut të familjes në urgjencat mjekësore në kujdesin parësor, depistimi dhe parandalimi, vizita pediatrike, çështje të ushqyerjes së fëmijëve, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, kujdesjet për pacientët në ditët e fundit të jetës, etj.
Element i ri në këtë konferencë, i cilësuar mjaft i rëndësishëm në punën e mjekut të familjes, është aftësimi i tij për të dhënë asistencë për lënien e duhanit. Duke u ndalur në këtë pikë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, theksoi se "dimensioni i shëndetit publik, që realizon pjesën e tij klinike nëpërmjet mjekut të familjes, merr tashmë valenca dhe detyra të reja, të cilat ne duhet t'i zhvillojmë, sepse funksionimi i shëndetit parësor, edukimi e promocioni, sigurojnë mbajtjen nën kontroll të gjendjes së mirë shëndetësore të popullatës".
Në këtë kontekst, në një prej seminareve të konferencës, mjekët e familjes do të pajisjen me njohuri bazë për kryerjen e sesioneve të edukimit shëndetësor për komunitetin ku ata shënbejnë, duke i ndihmuar ata të plotësojnë një nga kriteret bazë të paketës së shërbimeve shëndetësore.
Qëllimi i kësaj konference është aftësimi i mëtejshëm i mjekëve të përgjithshëm dhe atyre të familjes në cilësinë e dhënies së shërbimeve bazë shëndetësore, duke ndihmuar përmirësimin e komunikimit të tyre me pacientin, si një hallkë e rëndësishme për sigurimin e shërbimit cilësor.
Po kështu, nëpërmjet 14 seminareve, synohet inkurajimi mbi rolin e rëndësishëm të mjekëve të kujdesit parësor në shëndetësinë shqiptare dhe të nxisë ndryshim personal dhe praktik, çka do të sjellë cilësi në shërbimin shëndetësor parësor.
Konferenca, e cila solli në panel lektorë vendas dhe të huaj, u organizua nga Fondacioni Shëndetësor ABC, Albanian Health Fund (SHBA), PRIME (Britania e Madhe), World Vision Albania, me mbështetjen e MSH, Fakultetit të Mjekësisë, etj. /a.ke/
-
Trajko Kamburi tkamburi21:40 - 29 Korrik 2010te respektuar mjeke te familjes mjekesia e familjes ne shqiperi po zen gradualisht vendin e saj te nderuar si ne vendet e tjera para nesh mjeket e pergjthshem/mjeket efamiljes.ata jane mjeke personale per cdo individ icili kerkon ndihme mjekesore pamvaresisht kush eshte,cdo mjek familje duhet te mbaj pergjegjesi per banoret etij por dhe banorelllt duhet te respektojne keshillat emjekut nder kohe mjeku i familjes duhet te punoje per kualifikimin profesional me internetin seminareve te ndryshme konferencave per kete qellim dhe forma te tjera.