Okb - Konferenca Tnp: Arrihet Marrëveshje Për Çarmatimin, Lindje E Mesme Pa Armë Bërthamore
NJU JORK, 29 maj /ATSH-AFP/ - Konferenca për zëvendësimin e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve bërthamore, TNP, arriti dje një marrëveshje, e para që prej 10 vjetëve, që ka të bëjë veçanërisht me çarmatimin dhe krijimin e një zone përjashtimi të armëve bërthamore në Lindjen e Mesme.
Konferenca miratoi me konsensus një deklaratë përfundimtare prej 28 faqesh që parashikon katër plane veprimi për secilën nga tre shtyllat e Traktatit, çarmatimi, verifikimi i programeve bërthamore kombëtare për të siguruar se ato janë paqësore dhe përdorimi paqësor i energjisë atomike, si dhe për Lindjen e Mesme pa armë bërthamore.
Për këtë pikë të fundit, dokumenti parashikon organizimin në vitin 2012 të një konference ndërkombëtare "ku mendohet të marrin pjesë të gjitha shtetet e rajonit dhe që pritet të çojë në krijimin e një zone të tillë, gjë që përfshin praninë e Izraelit dhe të Iranit.
Kjo është hera e parë që prej 10 vjetëve që kjo konferencë arrin një marrëveshje për rishikimin e TNP-së, e cila, që prej hyrjes në fuqi në vitin 1970, ka shërbyer si direktivë botërore për kufizimin e përhapjes së armëve bërthamore.
Në dokument thuhet gjithashtu se është e rëndësishme që Izraeli të anëtarësohet në traktat dhe t'i vendosë të githa objektet e tij bërthamore nën garancitë e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, IAEA.
Irani nuk u përmend, edhe pse ai është duke shkelur rezolutat e OKB-së që kërkojnë pezullimin prej tij të veprimtarive bërthamore delikate dhe vërtetimin e karakterit civil të programit të tij bërthamor.
Egjipti dhe Irani kanë kërkuar që Izraeli të bashkohet me TNP-në, gjë që do të thotë se shteti hebre do të heqë dorë nga arsenali i tij bërthamor dhe që të pranojë krijimin e një zone pa armë bërthamore në Lindjen e Mesme.
/I.Pu.