Tiranë, 29 maj, NOA - Kur ende nuk janë bërë publike rezultatet e negociatave me ndërkombëtarët, Partia Demokratike kërkon nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama që të sqarojë opinionin në lidhje me tolerimet që i janë bërë për zgjidhjen e krizës.
Në formën e pyetjeve retorike, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli ka renditur të paktën gjashtë çështje, të cilët tregojnë për tolerimet e mahzorancës në lidhje me hetimin e zgjedhjeve, por edhe për ato që PD-ja i cilëson si shkelje të ligjit.
Duke ju referuar konferencës së bërë dy ditë më parë nga Rama, zëdhënësja e PD-së, Mëhilli deklaron se mazhoranca nuk ka asnjë të drejtë të marrë pjesë në komisionin për hetimin e zgjedhjeve të cilat u certifikuan nga ndërkombëtarët.
“Cila Kushtetutë dhe cili ligj detyron Qeverinë dhe mazhorancën e saj të marrë pjesë në një Komision Parlamentar Hetimor për zgjedhje të cilat janë certifikuar si zgjedhje që plotësuan standardet kryesore të OSBE – ODIHR-it dhe në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt?”, deklaron sot Mëhilli
Duke u ndalur në deklaratën e Ramës, se opozita nuk ka nevojë për hapësira, Mëhilli i kërkon përgjigje Ramës se “në cilën Kushtetutë apo cilin ligj të vendit bazon kërkesën për të patur shumicën në Komisionin Hetimor Parlamentar ndërkohë që ligji për Komisionet Hetimore Parlamentare i miratuar nga qeveria e Partisë Socialiste përcakton se përbërja e këtyre komisioneve duhet të jetë proporcionale me përbërjen e Parlamentit?”
Mëhilli kërkon nga kreu i PD-së që “tu thotë shqiptarëve se në cilin ligj apo Kushtetutë e bazon kërkesën e tij për të patur shumicën por dhe kryetarin e Komisionit Hetimor Parlamentar ndërkohë që ligji për Komisionet Hetimore Parlamentare i miratuar nga shumica socialiste në pushtet i njeh atij të drejtën vetëm për kryetarin, por jo për shumicën?”
Një çështje tjetër mbi të cilën mazhoranca kërkon përgjigje nga Kryetari i PS-së është dhe e drejta që i është dhënë opozitës për të hartuar Kodin e ri Zgjedhor.
“Në cilën Kushtetutë apo ligj të vendit ekziston e shkruajtur se zoti Rama ka të drejtën ekskluzive të hartimit të të gjitha amendamenteve për rekomandimet e OSBE – ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme?”, u shpreh Mëhilli.
Ndërsa një çështje tjetër e papranueshme për mazhorancën është dhe deklarata e kreut të PS-së pse nuk njeh nenet e Kodit Zgjedhor aktual. “Dhe së fundmi në cilën Kushtetutë apo ligj të vendit garantohet hapësira e zotit Rama për të shpallur publikisht se nuk njeh pikën 6 të nenit 178 të Kodit Elektoral të votuar me konsensualitet më shumë se çdo Kushtetutë apo ligj tjetër në këtë vend?”, deklari Mëhilli.
Por pyetjeve të mazhorancës për Kryetarin e PS-së u është shtuar dhe një tjetër që ka të bëjnë me liberalizimin e vizave.
Pyetjes mbi letrën e Ramës për Presidentin e Ke, Barroso, Mëhilli i është përgjigjur me një tjetër pyetje. “”A mund ti shtroni një pyetje zotit Rama se çfarë e pengoi atë që ta shkruante letrën një apo dy ditë më përpara se të merrej vendimi por e shkruajti atë mbasi u morr vendimi?”, u shpreh ajo.
Duke u ndalur në situatën politike, Mëhilli u shpreh se “Partia Demokratike i bën të qartë Edvin Kristaq Ramës se qëndrimi i tij ndaj ligjeve është qëndrimi tipik i bllokmenëve të rinj që në trashëgiminë e etërve të tyre e konsiderojnë veten mbi ligjet, mbi Kushtetutën, mbi Gjykatat”.
Ajo ka përfunduar duke thënë se “shteti ligjor do predominojë mbi këtë psikologji totalitare dhe në rast se ai ofertat e qeverisë i konverton si një mandat për të ngritur veten mbi ligjet atëherë do të përballet me to”.
m.xh/NOA.