Tiranë, 29 Maj, NOA – “Ne mbështesim të gjitha përpjekjet e Parlamentit Europian për të gjetur një zgjidhje për krizën politike aktuale në Shqipëri”.
Kështu ka pohuar Paulina Lampsa, Sekretare Ndërkombëtare e PASOK-ut në Greqi, mbi zhvillimet politike në Shqipëri, e pranishme në mbledhjen e Komitetit të Evropës Juglindore të Internacionales Socialiste, që u zhvillua sot në Tiranë.
Duke shtuar se “duhet të ketë një frymë kompromisi nga të dyja palët në mënyrë që të ndihmohet vendi që të arrijë objektivat evropian”.
Sipas saj, hap pozitiv ishte kthimi i Partisë Socialiste në Kuvend, ndërkohë që duhet të ndërmerret një hap edhe nga pala tjetër për dhënien fund të kësaj krize.
Ndërsa e pyetur lidhur me gjendjen e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, ajo është shprehur se “PASOK ka një bashkëpunim shumë të mirë me ta”.
“Janë një pjesë aktive e partisë sonë politike dhe do të vijojmë bashkëpunimin me ta për të zgjidhur sa më mirë problemet e tyre”, përfundoi deklaratën e saj, përfaqësuesja e PASOK-ut në Tiranë.
n.e/NOA