Përmbledhje - Shba - Shtresa E Naftës: Obama Trefishon Efektivat Në Zonë Dhe Shpreh Solidaritetin
GRAND ISLE, 29 maj /ATSH-AFP/ - Barack Obama njoftoi trefishimin e efektivave të dislokuar në rajonet bregdetare të Gjirit të Meksikës i prekur nga shtresa e naftës dhe siguroi banorët e rajonit se nuk do t'i braktisë, gjatë një vizite dje në Luizianë.
Që prej Grand Isle, presidenti amerikan u shpreh se ka urdhëruar Sekretaren për Sigurinë e Brendshme, Janet Napolitano dhe komandantin e rojave bregdetare, admiralin Thad Allen, të "trefishojë efektivat atje ku nafta ka prekur brigjet ose pritet ta bëjë këtë brenda 24 orëve.
Përveç kësaj, Obama iu drejtua drejtpërdrejt banorëve të rajonit, të zemëruar nga reagimet e autoriteteve, të cilat cilësohen të pamjaftueshme, gjatë kalimit të uraganit Katrina në vitin 2005.
"Jam këtu për t'ju thënë se nuk jeni vetëm", u shpreh presidenti amerikan. "Nuk do t'ju braktisim", theksoi ai.
Ndërkohë kompania BP vazhdon operacionet në përpjekje për ndalimin e rrjedhjes së naftës shkatare e shtresës së naftës, në thellësinë 1 500 metra në Gjirin Persik.
Tony Hayward, drejtori i përgjithshëm i BP-së, shtoi se në pus po dërgohet baltë që nga nata e djeshme.
"Futja me presion të lartë e këtyre lëndëve inerte plotëson një operacion delikat të filluar të mërkurën nga BP-ja që ka të bëjë me dërgimin në pus të një solucioni të përbërë nga uji dhe lëndë inerte. Pasi të ndalohet fluksi i naftës falë hedhjes së baltës, do të çimentojmë burimin", bëri të ditur Hayward.
Por, drejtori i shfrytëzimit të kompanisë BP, Doug Suttles, paralajmëroi dje se operacioni mund të vazhdojë për 24 deri 48 orë. "Elementi vendimtar është durimi", bëri të ditur ai. Drejtoresha e Agjencisë amerikane të Ambjentit, EPA, Lisa Jackson, njoftoi përpara Kongresit se BP-ja po përdor tani më pak produkte kimike për shpërndarjen e naftës. Javën e kaluar, EPA dhe rojat bregdetare kanë kërkuar që BP-ja të përdorë shpërndarës më pak toksikë.
Kërkesa e bërë të enjten nga drejtues të 125 anijeve peshkimi pas gjendjes jo të mirë shëndetësore të katër anëtarëve të ekuipazhit ka ngritur çështjen e sigurisë së marinarëve që marrin pjesë në operacionet e pastrimit. Të premten, dy anëtarë ekuipazhi të anijeve pjesëmarrëse në operacione u evakuuan me helikopterë drejt një spitali të Luizianës, pas ankesave për dhimbje në kraharor", njoftojnë disa zyrtarë të BP-së dhe autoritetet federale.
Presidenti i Shoqatës së Peshkatarëve për qëllime tregtie, George Barisich, u shpreh se nëntë peshkatarë janë shtruar në spital të mërkurën dhe dhjetëra të tjerë kanë njoftuar për probleme shëndetësore.
Nafta është përhapur në ujërat e Gjirit të Meksiskës me një ritëm prej rreth 3 milionë litra në ditë që prej mbytjes së platformës "Deepwater Horizon", njofton një grup ekspertësh të mandatuar nga administrata amerikane, ose me një ritëm tre deri katër herë më të lartë nga ai i njoftuar më parë.
Të enjten, autoritetet amerikane miratuan pjesërisht propozimin e Luizianës për ndërtimin e një ishulli artificiak prej gjashtë segmentesh dhe 72 kilometra në tërësi, që mund të pengojë naftën të vijë në brigje.
Përveç kësaj, gjatë vizitës dje në Luizianë, Barack Obama pranoi se numri i pengesave është i kufizuar. "Do të përpiqemi të prodhojmë më tepër të tilla, por kjo kërkon kohë", deklaroi ai.
Ai përfitoi nga një konferencë shtypi e dhënë të enjten për të mbrojtur administrimin e krizës, në një kohë kur administrata e tij po akuzohet për vonesë reagimi dhe se bën çfarë thotë BP-ja.
Pyetjes lidhur me vlerësimin e ri të vëllimit të naftës së rrjedhur, ai iu përgjigj duke shtruar pyetjen nëse kompania britanike është "treguar plotësisht e ndershme me gamën e dëmeve".
/I.Pu.