Prishtinë, 29 Maj, NOA - Drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare Civile në Kosovë, Peter Faith, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se rezultatet e punës së EULEX-it për të luftuar korrupsionin kanë filluar të duken dhe do të vazhdojnë më tej në ardhmen.
Faith thekson se hetimet për raste korrupsioni duhet t’i lihen drejtësisë dhe të mos politizohen, ndërsa në intervistën e tij përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë ndalet edhe në marrëdhëniet me qeverinë e Kryeministrit Thaçi dhe në zgjedhjet lokale serbe në veri të Kosovës.
Zoti Faith, zgjedhjet lokale të së dielës, Serbia do t’i organizojë edhe në veriun e Kosovës, megjithë kundërshtimin e qeverisë së Kosovës dhe të EULEX-it. Zyrtarët serbë e trajtojnë këtë rajon si të tyrin. Përse nuk është arritur të ndalohet Serbia që të mos zhvillojë zgjedhje në këtë pjesë të Kosovës?
Dua të theksoj së pari se ne njohim dhe mbështesim zgjedhjet e organizuara nga autoritetet në Prishtinë. Këtë e them si Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar me mandatin për të mbështetur qeverinë e Kosovës. Rezultati i zgjedhjeve në veri nuk do të njihet. Kjo është e qartë edhe nga Bashkimi Evropian. Situata në veri është komplekse dhe ka vite që është kështu. Është një rajon që banohet kryesisht nga serbë të Kosovë. Veprimi ynë aty është i vështirë. Politikanët serbë po shkojnë aty këto ditë për të bërë fushatë. Nga EULEX-i dhe Bashkimi Evropian u është bërë e qartë se këto vizita duhet të bëhen me miratim dhe se roje apo mbështetës së armatosur të politikanëve të mos lejohen të hyjnë në veri.
Kohët e fundit është folur për të ashtuquajturën “strategji për veriun”. Së pari, a ekziston një strategji e tillë dhe së dyti, në këtë fazë të vonuar, kur ka vite që veriu i Mitrovicës nuk është nën administrimin e Prishtinës, a mund të pritet realisht që ky rajon të vihet ndonjëherë nën kontrollin e Prishtinës? A mund të merren në konsideratë forma të tjera zgjidhjeje, si autonomi e plotë ose ndarje?
Përgjigja është po, mund të vihet nën kontrollin e Prishtinës. Dua të theksoj se gjatë dy tre ditëve në Amerikë jam konsultuar me qeverinë amerikane në Uashington në kuadër të rishikimit të zbatimit të planit të zotit Ahtisari dhe mund të them se një numër i madh i klauzolave të tij, janë realizuar nga qeveria e Kosovës me ndihmën tonë. Por më shumë duhet të bëhet, veçanërisht në veri. Ne kemi krijuar Ekipin Përgatitor për Komunën e Mitrovicës që në javët e muajt e ardhshëm pritet të bëhet funksional. Ky do të ishte hapi i ardhshëm në kuadër të përgatitjeve për të krijuar një komunë të re nga e cila do të përfitonte komuniteti serb atje. Ne kemi në plan të zhvillojmë zgjedhje në një moment të përshtatshëm, ndërkohë qeveria me mbështetjen tonë do të shqyrtojë hapa të tjerë për të përmirësuar shërbimet që Prishtina mund të ofrojë për qytetarët në veri dhe me kalimin e kohës të vendosen lidhje mes Prishtinës dhe komunave në veri.
Kjo situatë e tillë, siç e theksuat ju, ka vazhduar prej vitesh. Çfarë ju bën tani optimist të mendoni që veriu i Mitrovicës mund të vihet nën kontrollin e Prishtinës.
Siç ju kujtohet në vjeshtë ne patëm zgjedhje të suksesshme në komunat serbe në jug, me një pjesëmarrje të kënaqshme të banorëve serbë në jug të lumit Ibër, pas të cilave një numër komunash janë nën administrimin e banorëve serbe, me kryetar bashkie serb. Ky është një model që duam të ofrojmë edhe për veriun. Në se shkon në komunat e drejtuara nga zyrtarë serbë në jug, shumë banorët të tyre janë të kënaqur me përparimin që është arritur dhe me të drejtat që kanë sipas programit të decentralizimit. Është e vërtetë që gjatë viteve të fundit, nuk janë bërë shumë gjera, por mendoj se kohët e fundit, që pas pavarësisë, që pas krijimit të zyrës së Përfaqësuesit Civil, ne kemi arritur përparim të dukshëm, së pari në jug dhe tani do të përpiqemi edhe në veri.
Dhe strategjia për veriun, për të cilën është folur, a ekziston në ndonjë formë?
Ne kemi hartuar së bashku me qeverinë një projekt që bashkon shumë elementë, që mund të realizohen në veri nga aktorë të ndryshëm, si zyra ime apo nga Bashkimi Evropian dhe që synon forcimin e sundimit të ligjit, që ka të bëjë me decentralizmin dhe krijimin e lidhjeve adminstrative me komunat në veri, që ka të bëjë me zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve social-ekonomike për komunitetin serb në veri. Për këtë projekt do të duhet kohë. Do të varet nga pranimi i tij nga vendasit. Ne nuk do të ndërmarrim hapa që çojnë në dhunë. Por nga ana tjetër, në mbështetje të qeverisë së Prishtinës, ne nuk do marrim në konsideratë idenë e ndarjes, ose çdo lloj zgjidhje tjetër, që do ta linte veriun në kushtet e një konflikti të ngrirë.
Pra forma të tjera zgjidhje si autonomi e plotë ose ndarje, nuk janë në tryezë për negociata?
U takon palëve të diskutojnë për hapa të tjerë. Unë shpresoj që vendimi dhe debatet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe rekomandimet që do të dalin, do të ofrojnë baza konstruktive për debat të drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës dhe u takon atyre të gjejnë zgjidhje për problemet e mbetura. Por dua të shtoj se ndarja nuk është një alternativë që mbështet nga qeveria e Prishtinës ose nga përkrahësit e saj ndërkombëtarë.
Le të kalojmë në disa çështje të tjera. Kohët e fundit ka patur fërkime mes zyrës suaj dhe asaj të Kryeministrit Hashim Thaçi. Si janë marrëdhëniet tuaja me qeverinë e Kosovës?
Marrëdhëniet tona bazohen në partneritetin e ngushtë. Kemi shumë punë për të bërë. Në të kaluarën kemi bashkëpunuar në mënyrë shumë konstruktive. Unë sapo përmenda decentralizimin që ne e kemi mbështetur. Unë e kam mbështetur qeverinë për krijimin e institucioneve të Kosovës. Përpara kemi shumë sfida. Dhe ne do të vazhdojmë ta këshillojmë qeverinë në marrëdhëniet e saj me shtetet fqinje, e në mënyrë të veçantë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Unë mbaj kontakte të rregullta, të drejtëpërdrejta me kryeministrin Thaçi, dhe unë synoj dhe ashtu besoj synon edhe kryeministri, t’i çojmë përpara marrëdhëniet e ngushta që kemi krijuar.
Kohët e fundit ju keni sugjeruar që në qeverinë e Kosovës duhet të bëhen ndryshime të mëdha. Sugjerimi juaj u kritikua që të nesërmen nga kryeminsitri Thaçi. Si do ta vlerësonit ju punën që ka bërë qeveria e zotit Thaçi?
Unë nuk e kam kritikuar riorganizimin e qeverisë. Mendoj se riorganizimi ishte një hap shumë pozitiv dhe do të thoja që kabineti i ri, duke sjellë në të disa aktorë të njohur të politikës në Kosovë, në përgjithësi ka sjellë një qeveri më reformatore, më të fortë, që shpresoj se do të jetë më e aftë të merret me sfidat e së ardhmes. Ajo që kam thënë është se ne duhet të punojmë më shumë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionmin që mbeten ndër sfidat kryesore. Mendoj se qeveria ka hedhur hapa fillestarë të rëndësishëm në këtë drejtim. Ata e kanë më se të qartë se kjo është përparësi për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Ky mesazh u ritheksua edhe nga komisioneri për zgjerimin Shtefan Fyle. Pra mendoj se të gjithë e kanë të qartë se çfarë duhet bërë. Kjo është në kuadër të forcimit të shtetit ligjor, për të cilin BE ka dërguar në Kosovë EULEX.
Të ndalemi pak më gjatë tek korrupsioni. Siç e dini në Kosovë po bëhen hetime ndaj një zyrtari të lartë, Ministrit të Transporteve Fatmir Limaj, nën akuzat për korrupsion. Bastisja e policisë ishte një demonstrim i hapur publik, duke shkaktuar tensione. A mendoni se ky rast korrupsioni u trajtua në formën e përshtatshme?
Kjo është një çështje proceduriale operacioni, për të cilin duhet të pyesi EULEX-in. Por ajo që mund të them unë është se hetimet duhet të vazhdojnë, ato nuk duhet të politizohen, ato janë një çështje ligjore, sistemi i drejtësisë duhet të thotë fjalën e tij në të gjitha hallkat. Unë do ta mbështes deri në fund EULEX-in për këtë. Ky po ashtu është edhe qëndrimi i Brukselit, i cili e ka mbështetur plotësisht EULEX-in deri tani.
Në raportin e tij të fundit, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, e kritikon ashpër sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke thënë se është një sistem që po dështon t’u shërbejë qytetarëve. A mendoni se qeveria e Kosovës dhe BE po bëjnë sa duhet për të luftuar këto dobësi të sistemit të drejtësisë?
Pa dyshim që duhet më shumë. Kjo është një nga përparësitë dhe kjo është një nga arësyet që para dy tri vjetësh planifikuam misionin e EULEX-it, për të forcuar shtetin ligjor dhe komponentin e drejtësisë në të. Më shumë duhet bërë, por unë dua të theksoj përsëri se këto gjera nuk duhen politizuar. Këto janë çështje teknike, është ndihma më e mirë teknike që BE mund t’i japë një vendi në tranzicion që synon të anëtarësohet në BE. Unë do të shpresoja që edhe shikuesit e emisionit juaj do ta mbështesnin këtë përpjekje dhe nuk do të shikonin si një përpjekje për të dëmtuar përparimet e bëra që nga pavarësia. Ky është një kontribut pozitiv që ne po japim.
Po e ripërsëris pyetjen në një formë tjetër. Pa dyshim që është një çështje teknike, por a mendoni se këto çështje teknike mund të zgjidhen pa një vullnet të qartë nga ana e qeverisë, nga ana e EULEX-it, nga ana e BE-së? Pra pa një angazhim të fortë politik.
Po, keni të drejtë, ky është një partneritet që palët kontribuojnë. Ne kemi nevojë për mbështetje të fortë nga qeveria, që mendoj se e kemi. Kryeministri Thaçi dhe ministrat e tij e kanë mbështetur EULEX-in. Brukseli vazhdon të ofrojë ndihma për Kosovën. Ne mendojmë se kjo është mënyra më e mirë për ta afruar vendin me BE-në.
Dhe një pyetje e fundit. EULEX-i është kritikuar se nuk është treguar shumë i vendosur dhe ka nga ata që kërkojnë reformimin e tij. Cili është mendimi juaj?
Kjo është një çështje që nuk është në kompetencat e mia. Për mua EULEX-i e ka kryer si duhet punën. Atyre u është dashur të merren me shumë çështje gjyqësore të prapambetura që nga koha e UNMIK-ut. Duhet kohë e gjatë për të hetuar dhe për të ngritur akuza. Këto s’mund të ndodhin brënda nate. Ata kanë bërë një punë të shkëlqyer, po i shohim rezultatet tani dhe ndoshta do të shohim të tjera në të ardhmen. Duhet të jemi të përgatitur për këtë. EULEX-i kritikohet se nuk po bën mjaft, por nga ana tjetër ka kritika se po bën më shumë se ç’duhet. Pra le të jemi më të duruar dhe të lemë drejtësinë të thotë fjalën e saj. T’i lëmë autoritetet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre pa ndërhyrje politike.
VOA