English

Projektligji Për Gjykatat Administrative, Pritet Të Ketë Ndryshime

TIRANE, 29 Maj/ATSH-A.Gjonaj/.- Biznesi do t'i kërkojë qeverisë të rishikojë projektligjin "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative", duke kërkuar konkretisht ngritjen e një seksioni administrativ pranë Gjykatës së Lartë, si dhe përfshirjen në trupin gjykues të ekspertëve të fushave të ndryshme, përkrah juristëve. Administratori i Përgjithshëm i Kofindustrisë, Gjergj Buxhuku, tha të shtunën për ATSH-në se së shpejti do të zhvillohet një tryezë konsultimesh me të gjitha grupet e interesit, si dhe përfaqësues të politikës për përmirësimin e këtij projektligji. "Përmirësimet konsistojnë në ngritjen e një seksioni administrativ pranë Gjykatës së Lartë si dhe përfshirjen e ekspertëve të fushave të ndryshme përveç juristëve në trupin gjykues", tha Buxhuku. Mungesa e opozitës në Kuvend ka bllokuar miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, e cila konsiderohet një mekanizëm i efektshëm në mbrojtje të të drejtave dhe interesave ligjore të qytetarëve dhe biznesit, pasi çështjet që do të trajtojë lidhen me punësimin në institucionet shtetërore, prokurimet publike, tatimet, doganat, pensionet, regjistrimin dhe licencimin e biznesit dhe të pasurive. Shqipëria është vendi i fundit në rajon që nuk ka ende Gjykatën Administrative, hallka që mund të zgjidhë kryesisht mosmarrëveshjet mes biznesit dhe administratës shtetërore. Ngritja e saj si pjesë e sistemit të drejtësisë është dhe një nga kushtet, që vendi duhet të plotësojë për anëtarësimin në BE. Gjyqet që kanë të bëjnë me çështje administrative zënë një pjesë të konsiderueshme të proceseve gjyqësore, ndërsa mbartin vlera shumë të larta financiare, pasi procedurat për të zgjidhur qoftë edhe gabime administrative, zgjasin për shumë vite dhe dëmet financiare janë të larta. P/ligji "Për Gjykatat Administrative" u prezantua në muajin shtator 2008 nga Ministria e Drejtësisë dhe u hartua nga ekspertët e Misionit Europian të Asistencës Teknike "Sigma". Ky p/ligj u diskutua në komisionet e përhershme të Parlamentit në Tiranë dhe ishte parashikuar të miratohej nga Kuvendi në seancën e fundit plenare të legjislaturës së kaluar. Por, në momentin e miratimit të tij opozita u largua nga Kuvendi. Madje, Kryeministri Berisha kërkoi edhe thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Parlamentit për miratimin e këtij p/ligji, por opozita nuk u kthye ne Kuvend. Në legjislaturën e re të Kuvendit, për shkak të bojkotit të opozitës, ky p/ligj ende nuk ka mundur të sigurojë 84 votat e nevojshme për miratim. /a.ke/
KOMENTE