Durrës, 29 Maj, NOA – Ndërprerja e ujit të pijshëm tek disa familje në fshatin Xhafzotaj në Durrës, të cilat nuk kishin bërë pagesat e kishin bërë lidhje të paligjshme ka sjellë mbrëmë një konflikt mes punonjësve të Ndërrmarjes së Ujësjellës Kanalizimeve dhe disa banorëve të zonës, ku mbetën të plagosur tre shtetas, punonjësi B. Avdyli, dhe dy shoqëruesit e tij.
Sipas Policisë së Durrësit, si të dyshuar për këtë ngjarje u ndaluan sot, nga seksioni i krimeve të policisë së Durrësit, shtetasit Fisnik Shehi, 27 vjeç, Rami Velia, 38 vjeç dhe Sherif Shehi 37 vjeç, të tre banues në fshatin Xhafzotaj, që të tre autorë të ngjarjes ku mbetën të plagosur tre shtetasit në krye të detyrës.
Ndalimi i ketyre shtetasve, nga Policia e qytetit, u bë pasi nga hetimet e deritanishme të kryera rezulton se rreth orës 19.20, të datës 28 maj, tre të ndaluarit goditën në kokë punojësin e ujësjellësit B. Avdyli si dhe qëlluan me thikë duke plagosur rëndë dy të tjerët M. Avdyli dhe I.Karepi, që ndërhynë për të mbyllur konfliktin.
Të dëmtuarit pas ndihmës mjekësore në Spitalin e Durrësit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Materialet për vepën penale te plagosjes së rëndë me dashje të kryer në bashkëpunim në ngarkim të shtetasit Fisnik Shehi, dhe për veprat penale të kanosjes për shkak te detyrës në ngarkim të shtetasve Sherif Shehi dhe Rami Velia iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
mit/NOA