Tiranë, 29 maj, NOA - Qytetet e mëdha si Tirana e Durrësi vuajnë mungesën e mjekëve të familjes, kryesisht në zonat e reja të banimit. Drejtori i Shëndetit Publik në ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja thotë se në Tiranë nevojiten 50 për qind më shumë mjekë familje, por ata s’mund të punësohen në qendrat ekzistuese shëndetësore, pasi nuk ka ambiente të reja.
Bejtja shpjegon se shumë kërkesa i janë dërguar pushtetit vendor, por hapja e qendrave të reja shëndetësore, në lagjet e reja, duhet të bëhet përmes planifikimit urban nga ana e Bashkive.
“Lëvizjet demografike kanë rritur nevojën e mjekëve të familjes. Qendrat aktuale shëndetësore vuajnë nga fluksi i pacientëve, ndaj kërkohet ndërtimi i qendrave të reja shëndetësore.
Por i takon pushtetit vendor, që përmes planifikimit urban, të krijojnë hartën sanitare në të cilën duhet të përfshihen trojet për godinat e reja të qendrave shëndetësore”, tha Drejtori i Shëndetit Publik, Gazmend Bejtja.
Çdo vit nga Fakulteti i Mjekësisë diplomohen rreth 200 mjekë familje, degë e re, e cila është hapur që nga viti 1997. Por sipas burimeve nga ministria e Shëndetësisë ata hasin vështirësi për tu punësuar pasi nuk ka hapësira të reja.
b.a/NOA