Rama: Jemi Në Dispozicion Të Zgjidhjes Së Krizës
TIRANË, 29 Maj/ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu sot gadishmërinë e opozitës për zgjidhjen e krizës politike në vend, në rast se i hapet rruga transparencës së zgjedhjeve.
"Jemi në dispozicion të zgjidhjes së krizës dhe për ne ka një kompromis të arësyeshëm që i hap rrugën transparencës e garanton mbarëvajtjen e punës së parlamentit, duke krijuar të gjitha kushtet që të shkohet përpara me reformat që ka nevojë vendi", theksoi Rama gjatë një deklarate për gazetarët, pas përfundimit të punimeve të takimit të Komitetit të Internacionales Socialiste për Europën Juglindore, zhvilluar sot paradite në Hotel Sheraton.
Në mbylljen e këtij takimi, kryetari socialist falenderoi për mbështetjen që liderët e partive të majta të rajonit i japin opozitës shqiptare në kërkesën e saj për transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit. /a.s//a.ke/