Reportazh/ Shija Qe Merr Ne Antigone
GJIROKASTËR, 29 Maj /ATSH-Telnis Skuqi/ - E ndodhur për vizitë te njerëzit e saj, Ermira Sula, 28 vjeç, nga Elbasani, shijoi brenda një dite shumë nga gatimet tradicionale të Antigoneas, rreth 5 km larg nga Gjirokastra, të ekspozuara në panairin e kulinarisë, i pari në historinë e kësaj komune.
"U ndodha rastësisht, megjithatë ndihem e kënaqur që shijova gatimet e jugut", pohon Sula, nënë e dy vajzave të vogla, duke shtuar se të gjitha produktet ishin me shije dhe cilësore.
Ajo thotë se provoi pak nga të gjitha, duke filluar nga keku, byreku, mishi i pjekur, djathi deri tek mjalti.
Delo Serjani, 67 vjeç, mësues në pension dhe bletërritës, 1 nga 20 pjesëmarrësit në panair e sotëm, thotë se zona e Antigonesë shquhet për gatimet, por edhe për historinë e saj shumëshekullore.
"Këtu rriten të shëndetëshme bagëtitë dhe bletët. Prodhimet janë të mbara dhe tregu i sigurtë", thotë Serjani.
Antigonea është fshati ku fermerët sigurojnë të ardhura të kënaqshme, mendon ai.
Bletët, për mësuesin në pension, janë gjithçka dhe ai i njeh mirë qysh nga fëmijëra.
"Bletët po si mbajte, nuk të mbajnë", thotë Serjani, duke shtuar se mjalti i Antigones është i shëndetëshëm dhe shërues.
"Ky është një profesion i lirë, sa edhe komunizmi nuk e ndali dot", kujton Serjani.
Adriatik Danaj, 57 vjeç, baxhoxhi, nga fshati "Asim Zeneli", tregon se panairi ishte marketingu më i mirë që ju bë prodhimeve të tij.
"Gjithçka është bio, kjo falë natyrës që të ofron Antigonea", pohon Danaj.
Sipas tij, lënda e parë sigurohet lehtësisht nga banorët e zonës, ndërsa prodhimi avullon, e blejnë me shpejtësi tregëtarët e Tiranës.
"Deri tani kam prodhuar afërsisht 10 kv djathtë, pa përjashtuar nënproduktet e qumështit, si gjalpi dhe gjiza", shprehet Danaj.
Danaj mendon se këto prodhime të pastra u kanë dhënë mundësi amvisave të përgatisin ushqime me shije.
"Mishi shijohet në mal dhe jo në det", thotë Danaj, duke nënkuptuar se gatimet e zonës janë të gjitha natyrore.
Ylli Muho, kryekomunari i Antigonesë prej 8 vjetësh, pohon se panairi synon promovimin e vlerave karakteristike të zonës.
"Blegtoria dhe arti i kulinarisë është trashëgimi nga të parët tanë. Tashmë, turistët vendas dhe të huaj do të kenë mundësi të njihem me këto vlera", thotë Muho./ch/