Tiranë, 29 Maj, NOA – Të lejohet një hetim parlamentar i plotë i zgjedhjeve në Shqipëri, në mënyrë që të zgjidhet ngërçi i krizës politike së krijuar prej mëse një viti e duke i hapur në këtë mënyrë rrugën përshpejtimit të procesit të integrimit.
Kështu deklaroi në fund të mbledhjes së organizuar sot në Tiranë nga Komiteti i Evropës Juglindore të Internacionales Socialiste, sekretari i Përgjithshëm i këtij organizmi, Luis Ajala.
Duke cituar rezolutën e hartuar prej saj, ai ka bërë me dije se “pa patur një zgjidhje të këtyre çështjeve, zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të kenë sërish probleme dhe pasoja”.
“Kriza e krijuar ka qenë për shkak të mungesës së transparencës në procesin zgjedhor dhe ngërçi politik po pengon procesin e integrimit normal të vendit drejt Bashkimit Evropian”, tha më pas Ajala.
Ai shtoi se rezoluta e Internacionales Socialiste “njeh edhe angazhimin e ndërkombëtarëve për të kontribuar në zgjidhjen e kësaj krize duke kërkuar arritjen e një kompromisi”.
“Shqipëria ka nevojë për institucione politike të forta dhe ato duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, kjo vlen edhe për drejtësinë”, përfundoi sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, duke folur nga Tirana.
n.e/NOA