Sarajevë - Silajxhiç Kërkon Normalizimin E Shpejtë Të Marrëdhënieve Në Ballkan
SARAJEVË, 29 maj /ATSH-TANJUG/ - Kryetari i presidencës tripalëshe boshnjake, Haris Silajxhiç deklaroi sot në Sarajevë se qëllimi i iniciativës Igman ishte i qartë dhe kishte qëllim shtimin e dialogut të brendshëm dhe rajonal në fushën e politikës, ekonomisë, arsimit dhe kulturës.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në sesionin e 21-të të iniciativës Igman, zyrtari i lartë boshnjak tha se qëllimi i këtij sesioni ishte normalizimi sa më shpejt i mundur i marrëdhënieve ndërmjet Bosnjes, Serbisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.
''Sot është i nevojshëm një dialog për të gjitha çështjet e hapura, veçanërisht përsa i përket mosbesimit'', deklaroi Silaxhiç.
''Besimi reciprok mes katër vendeve tona është thelbësor'', theksoi ai.
Drejtuesit nga katër vende të Ballkanit, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi u mblodhën sot në Sarajevë për të konfirmuar dëshirën e tyre për zhvillimin e marrëdhënive në kuadër të integrimit evropian.
Takimi i presidentëve serb, kroat dhe malazez, Boris Tadiç, Ivo Josipoviç dhe Filip Vujanoviç me homologun e tyre të presidencës boshnjake, Haris Silajxhiç, u zhvillua disa ditë para një takimi të rëndësishëm mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit që do të zhvillohet më 2 qershor në Sarajevë që do t'i kushtohet perspektivës everopiane të Ballkanit Perëndimor.
Iniciativa Igman, rrjet rajonal joqeveritar, që ka për objektiv promovimin e paqes në Balkan, u krijua në vitin 2000 dhe përfshin OJQ-të e tre vendeve të rajonit, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Kroaci, nënshkruese të Marrëveshjes së Daytonit më 1995, që i dhanë fund luftës në
Bosnje-Hercegovinë./ a.jor.