Tiranë, 29 Maj, NOA, Milena Selimi – Aventurat e katër njujorkez-eve në filmin e suksesit “Sex and the City2”, mbërrijnë edhe në Tiranë.
Më në fund edhe metropoli shqiptar do të përjetojë këtë mbrëmje në Kinema Millennium 2, këtë legjendë të kinemasë amerikane të viteve të fundit. “Sex and the City”(Seksi dhe qyteti rikthehet si premierë botërore në ekranin e madh, dy vjet pas suksesit botëror, me episodin e saj më të ri.
Sikundër edhe në përshtatjen e parë kinematografike të këtij seriali televiziv, historia e katër zonjave amerikane vazhdon të ngjallë kureshtje jo vetëm tek fansat, por edhe te publiku i gjerë, i cili kishte nisur të numëronte mbrapsht orët që ndanin nga kjo premierë botërore e legjendës njujorkeze, “Sex and The City 2”.
Kjo është hera e dytë që kinema MILLENNIUM dhe revista JETA organizojnë premierën e filmit “Sex and the city”.
Në daljen e episodit të parë kinematografik në 2008-ën, filmi u prit mjaft mirë nga publiku shqiptar.
Vijimi rishtas i aventurës amerikane të shkruar nga Candance Bushnuell me regji të Michael Patrick King ka ngjallur interesin e publikut në mbarë botën. Që tani kritikët kanë parashikuar një sukses të madh të këtij filmi që nis shfaqjet e tij këtë fundjavë në mbarë botën.
"Sex and the City 2" sjell rishtas katër protagonistet e saj, Carrie, Samantha, Charlotte dhe Miranda.
Heroinat kanë realizuar dëshirat e tyre më të rëndësishme, por në "Sex and the City", jeta u rezervon mjaft surpriza. Këtë herë një aventurë “glamour” do t’i çojë katër mikeshat jashtë Neë Jork-ut, drejt një parajse tokësore ku festat nuk mbarojnë kurrë dhe pas çdo cepi fshihet një mister.
Një arrati që fillon pikërisht kur heroinave u duhet të luftojnë kundër tabuve dhe detyrimeve tradicionale familjare.
Nga kjo fundjavë zbavitjen mund ta gjeni në komedinë romantike amerikane Sex and the City 2 me protagonistet e famshme Sarah Jessica Parker, Kristin Davis, Cynthia Nixon, Kim Cattrall, Chris Noth.
mit/NOA